Transmetuar më 21-05-2025, 10:13

Vrasja e Valeria Márquez, 23-vjeçare, influencuese e njohur në TikTok dhe Instagram, gjatë një videoje live në TikTok nga salloni i bukurisë ku punonte në Zapopan, Jalisco, Meksikë, ka shokuar opinionin publik në Meksikë dhe përtej. Ajo u qëllua dy herë, në kraharor dhe kokë, nga një burrë që hyri në sallon, u sigurua për identitetin e saj dhe më pas hapi zjarr. E gjitha ndodhi ndërkohë që Valeria mbante në duar një lodër pelushi rozë dhe ishte drejtpërdrejt në transmetim me ndjekësit e saj.

Ngjarja po hetohet si femicid, vrasje për arsye gjinore.

Njerëzit dyshojnë se mikesha e Valeria-s ka gisht në krim.

Pas krimit, rrjetet sociale shpërthyen me spekulime, duke vënë në qendër të vëmendjes mikeshën e ngushtë të Valeria-s, Vivian de la Torre, e cila ndodhej me të para dhe gjatë transmetimit live.

Sipas ndjekësve të Valeria-s, Vivian kishte këmbëngulur që ajo të mos largohej nga salloni, edhe pse kjo e fundit kishte përmendur se dikush kishte tentuar t’i sillte një dhuratë “të shtrenjtë” më herët gjatë ditës. Vivian mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar:

“Asnjëherë nuk e kemi imagjinuar se do të ndodhte diçka e tillë. Vale merrte dhurata shpesh, madje edhe gjatë live-it. Ishte si një motër për mua.”

Në videot e mëparshme ku Valeria dhe Vivian shfaqen shumë të afërta, me batuta ku thonë se janë “nuse” të njëra-tjetrës dhe një video ku Vivian bën disa gjeste të paqarta me duar (sipas ndjekësve: tre gishtërinj = tri plumba) kanë ngritur dyshime për një rol të mundshëm të saj, ose së paku për dijeni paraprake.

Prokuroria e Jalisco-s reagoi publikisht, duke mohuar që Vivian de la Torre të jetë aktualisht nën hetim dhe theksoi se nuk ka ende të dyshuar zyrtarë.

Skenari i përfshirjes së një figure të lidhur me kartelin CJNG

Sipas portalit Milenio, personi i dyshuar si autor i krimit është identifikuar si Ricardo Ruiz Velasco, i njohur si “El Doble R” ose “El Tripa”, një figurë e rëndësishme në Cártel Jalisco Nueva Generación (CJNG) – një nga organizatat më të dhunshme kriminale në Meksikë.

Thuhet se ai ka pasur një marrëdhënie të fshehtë me Valeria-n dhe shpesh është treguar xheloz për dhuratat luksoze që ajo merrte nga ndjekësit në rrjet.

Vrasësi nuk e njihte personalisht Valeria-n, sipas prokurorisë

Zëdhënësi i prokurorisë, Denis Rodríguez, deklaroi për The New York Times se hetimet po përqendrohen te pamjet e kamerave të sigurisë dhe në aktivitetin e Valeria-s në rrjete sociale, si burime të mundshme për identifikimin e autorëve.

Sipas tij, dy persona kishin mbërritur më herët gjatë ditës në sallon, duke tentuar të dorëzonin një dhuratë, por nuk e njihnin personalisht Valeria-n. Gjatë sulmit, njëri prej tyre i maskuar pyeti: “A je ti Valeria?” – dhe pas konfirmimit, qëlloi.

“Ata nuk kishin marrëdhënie personale me të,” u shpreh Rodríguez. “Ai ishte thjesht ekzekutuesi i saj.”

Familjarët kërkojnë drejtësi

Familja e Valeria-s ka kërkuar analizë të plotë të videos së krimit, duke theksuar se aty mund të ketë elementë kyç për identifikimin e autorëve. Prokurori konfirmoi se janë duke intervistuar personat më të afërt me Valeria-n, përfshirë miq, të afërm dhe partnerë të mundshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit