

Dhunoi dhe kërcënoi për jetë bashkëjetuesen, 45-vjeçari mbante kallashnikov në banesë
Një 45-vjeçar nga fshati Dukas i Patosit dhunoi fizikisht dhe kërcënoi për jetë bashkëjetuesen e tij 26-vjeçare. Gjatë kontrollit në banesën ku ndodhi ngjarja, u gjet një armë zjarri e tipit kallashnikov me municion luftarak, e mbajtur pa leje.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti në familje, ku pas dhunës dhe kanosjes, viktima bëri kallëzim për veprimet e autorit. Arma që ai mbante e rriti rrezikshmërinë e situatës, duke ngritur dyshime për pasoja më të rënda nëse nuk do të ishte ndërhyrë në kohë.
Policia e Stacionit Patos, njoftoi se pasi administroi denoncimin e një 26-vjeçareje, e cila raportoi dhunë fizike dhe kërcënim për jetën nga bashkëjetuesi i saj, ndërhyri menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, u bë kapja në flagrancë dhe arrestimi i autorit, shtetasit I. R., 45 vjeç.
45-vjeçari u ndalua dhe ndaj tij janë referuar materialet në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme. Ai akuzohet për dhunë në familje, kanosje për jetën dhe armëmbajtje pa leje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






