

Marco Parolo e njeh mirë Igli Taren. Ishte pikërisht shqiptari, ai që e bleu nga Parma në vitin 2014 dhe e mori te Lazio, ku mesfushori qëndroi deri në vitin 2021. “Gazzetta dello Sport” i ka kërkuar komentatorit aktual teknik të DAZN të tregojë se çfarë drejtori sportiv po merr Milani.
Sipas të gjitha gjasave, shqiptari do të jetë drejtori i ri sportiv i Milanit. Gjithçka duket se është e përcaktuar, me Igli Taren që pritet të firmosë kontratë 3-vjeçare dhe do të merret kryesisht me pjesën sportive, duke i lejuar Moncada të kthehet te roli i shefit të skautëve, që është edhe fusha ku ai shkëlqen më shumë. Marco Parolo, një njohës shumë i mirë i shqiptarit bëri këtë prognozë të kësaj “martese” sportive.
Për kontributin që Tare mund të japë te kuqezinjtë: "Milani do të sigurojë një profesionist të madh, me shumë dëshirë për të rifilluar dhe për t’u rikthyer në botën e futbollit. Do të jetë një vlerë e shtuar për klubin kuqezi. Tare do të vijë me një ngarkesë të madhe energjie, pas dy sezonesh pauzë, gjatë të cilave ka studiuar dhe është përditësuar vazhdimisht. Pas 15 vitesh pune në Romë, ai ka zgjeruar horizontet dhe ka ndërtuar një eksperiencë të gjerë, duke thelluar njohuritë për futbollin europian".
Mbi raportet që krijon Tare me trajnerët përkatës: “E bën trajnerin ta ndjejë gjithmonë praninë e tij, ka dialog të vazhdueshëm me të. Është gjithmonë i pranishëm në stërvitje, sytë e tij janë një ndihmë shtesë për të kuptuar gjendjen e lojtarëve. Kur shkoja në ‘Formello’, ai ishte gjithmonë aty. Edhe kur largohesha, prapë ishte aty”.
Mbi fatin e Theo Hernandez dhe Rafael Leao te Milani, me shqiptarin drejtor sportiv: “Pa dyshim do të bisedojë me ta dhe do të sjellë qartësi. Për të, prioritet është gjithmonë klubi. Nëse një lojtar përpiqet të dalë mbi të tjerët, do ta ketë të vështirë të përshtatet me Taren dhe të qëndrojë. Meqë e njoh mirë, ai tashmë ka ide të qarta për lojtarët që duhen marrë dhe ata që duhen larguar. Tare e njeh mjaft mirë futbollin, edhe Milanin po ashtu…”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






