

Milani po shton sërish presionin për ta kontraktuar Igli Taren si drejtorin e ri sportiv të klubit. Pas kontakteve të para, dy javët e shkuara, shqiptar është rikthyer si kandidati më potencial për ta udhëhequr projektin e ri teknik të kuqezinjve.
Në takimin e zhvilluar në Romë dhe të tjerët më pas është arritur afrim domethënës mes palëve. Tare e ka bindur CEO-n e Milanit, Giorgio Furlani, i cili është përgjegjësi kryesor për zgjedhjen. Aq sa në fillim të javës së ardhshme është caktuar një takim tjetër, që mund të jetë vendimtar për “tym të bardhë”.
Bisedimet e ditëve të fundit, sipas burimeve të afërta me procesin, kanë qenë shumë pozitive për të dyja palët. Para se të arrihet marrëveshja finale dhe firmosja, do të nevojitet edhe një takim i fundit, por ndjesitë aktuale janë pozitive dhe nxisin optimizëm.
Milani duket i gatshëm t’ia dorëzojë Tares “çelësat” e rindërtimit të projektit sportiv, pas një sezoni zhgënjyes. Kjo lëvizje është në funksion të harmonisë mes pjesës teknike, financiare dhe skautimit.
Për këtë proces, deklaratat e fundit të Giorgio Furlanit ishin të qarta: “Disa ditë më parë e komentova këtë çështje duke thënë se nuk ishte marrë ende një vendim. Edhe sot jemi në të njëjtin pikë: nuk ka ende një zgjedhje. Jemi të fokusuar për të gjetur dikë që i bën mirë Milanit, personin e duhur në rolin e duhur. Profili? Një që na bën të fitojmë”.

PRAPASKENAT
Zlatan Ibrahimoviç, dy muaj më parë, dëshironte të kishte gjithë menaxhimin e Milanit nën kontroll, sidomos në pjesën sportive. Për këtë arsye kishte biseduar me Igli Taren dhe kishte arritur një marrëveshje me të.
Më pas, Furlani kishte kërkuar, dhe arritur, një audiencë me “RedBird” për t’u rikthyer në pikë referimi në klub. Pikërisht për këtë arsye, marrëveshja me shqiptarin pati një ngadalësim të ndjeshëm dhe Fabio Paratici u bë zgjedhja e parë për postin drejtues.
Fillimisht pezullimi, pastaj proceset gjyqësore; këto ishin arsyet që e ndaluan marrëveshjen me Paraticin, duke bërë që gjithçka të dështonte. Në atë pikë, Furlani kishte tre emra në shënjestër: Sartori, D’Amico dhe Tare.
Dy të parët kanë kontrata afatgjata dhe do të ishte e vështirë t’i lironte, një situatë shumë e ndërlikuar. Ndërsa Tare, i cili ka bërë shumë mirë gjatë viteve të tij te Lazio, nuk paraqet ndonjë pengesë të madhe, as nga ana profesionale (rezultatet e tij janë të njohura), as nga ana kontraktuale.
Sigurisht, tani mbetet për t’u kuptuar se çfarë do të ndodhë me Ibrahimoviç. Sepse, edhe pse duket thuajse e sigurt që ai do të qëndrojë, të paktën si figurë institucionale, do të jetë e rëndësishme të përcaktohen ekuilibrat e brendshëm në klub.
Të gjithë kanë thënë gjithmonë se vendimet merren në mënyrë të përbashkët, por ajo që ndodhi me Taren tregon një histori të ndryshme, edhe pse kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është diçka negative.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






