Transmetuar më 21-05-2025, 07:40

Popullsia në rënie: Lindjet bien me ritme alarmante, ndërsa politika pro-lindje mbetet simbolike

Tiranë – Shqipëria po përballet me një përkeqësim të dukshëm të profilit demografik, teksa kalojnë gati dy vite nga zhvillimi i Censit 2023 dhe vendi ende nuk ka të dhëna të plota zyrtare për popullsinë. Ndërkohë, statistikat e lidhura me lindjet dhe emigracionin po japin një panoramë shqetësuese mbi të ardhmen demografike të vendit.

Në tremujorin e parë të këtij viti, në të gjithë vendin lindën vetëm 4,662 foshnja – një rënie me 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Të dhënat tregojnë se që nga tremujori i parë i vitit 2021 deri në 2025, lindjet në shkallë vendi kanë shënuar një rënie prej 26%. Kjo tendencë rënëse është përshpejtuar pas pandemisë.

Nëse krahasohen vetëm të dhënat për tremujorin e parë, rezulton se në vitin 2019 janë regjistruar 15% më pak lindje se në të njëjtën periudhë të vitit 2011, duke dëshmuar një prirje afatgjatë negative.

Situata është veçanërisht e rëndë në qarqet e veriut. Kukësi, ndonëse ka ende një përqindje të lartë të popullsisë së re në moshë, ka regjistruar rënien më të madhe të lindjeve në rang vendi – mbi 22% më pak në tremujorin e parë të vitit 2025. Bashkë me Dibrën, këto dy qarqe – të karakterizuara nga varfëri e madhe dhe emigrim masiv gjatë dekadës së fundit – kanë pësuar një tkurrje të ndjeshme të natalitetit. Sipas INSTAT, lindjet në këto zona janë ulur me mbi një të pestën brenda një viti.

Edhe Tirana, ndonëse qarku me rritje të vazhdueshme të popullsisë falë migrimit të brendshëm, ka përjetuar një rënie të fortë të lindjeve. Në tremujorin e parë 2025, Tirana ishte e dyta në vend për rënie të lindjeve, me 18% më pak se një vit më parë. Kostoja e lartë e jetesës, çmimet e papërballueshme të banesave dhe tendenca e re për më pak fëmijë po ndikojnë dukshëm në normën e fertilitetit të kryeqytetit.

Ndërkohë, qarqet bregdetare dhe ato jugore si Vlora, Gjirokastra dhe Berati kanë përjetuar një rënie më të butë të lindjeve – ulje njëshifrore. Këto zona kanë patur rënie të forta vitet e mëparshme dhe janë prej kohësh të karakterizuara nga plakje e popullsisë.

Pavarësisht se vendi po përjeton rritje ekonomike, kjo nuk po përkthehet në përmirësim të treguesve demografikë. Përkundrazi, rritja ekonomike dhe rënia e lindjeve po shfaqen në përpjesëtim të zhdrejtë.

Në këtë kontekst, politika e vetme pro-lindje e qeverisë – bonusi i bebeve (40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin) – duket se ka ndikim simbolik dhe jo real. Vlera e bonusit është shumë herë më e ulët krahasuar me koston reale të rritjes së një fëmije.

Në shumicën e rasteve, të rinjtë përballen me çmime të larta banesash, shpenzime të mëdha për arsimin privat dhe pasiguri në tregun e punës – faktorë që i pengojnë çiftet e reja të ndërtojnë familje dhe të sjellin në jetë fëmijë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit