Transmetuar më 20-05-2025, 18:38

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka urdhëruar ndalimin e tre efektivëve të policisë dhe një doganieri pasi akuzohen se kanë lejuar në “shpërdorim të detyrës” kalimin e një kamioni me 442 kanabis drejt Malit të Zi.

Episodi ndodhi në vitin 2023 në pikën kufitare “Hani i Hotit”, ndërsa kamioni me drogë u kap pas kontrollit në pikën e kalimit kufitar në “Bozaj”, Mali i Zi.

Njoftimi i AMP:

Në vijim të hetimeve disa mujore mbi procedimin penal të vitit 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit për tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Lekë Çerkezi, punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.

Fatjon Hamzi, punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.

Tonin Melaj, punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.

Selami Ethemi, me detyrë Doganier në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.

Urdhërat e ndalimit vijnë pas hetimeve të thelluara me metoda speciale në lidhje me ngjarjen e datës 17/09/2023, ku një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi në kamion është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit