Transmetuar më 20-05-2025, 11:17

Në një moment që sfidon çdo rregull të diplomacisë sportive, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lëshuar një thirrje të fortë dhe simbolike në drejtim të kombëtares serbe të futbollit, vetëm pak javë para përballjes së zjarrtë kundër Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Kujtojmë se kuqezinjtë tanë dhe kombëtarja serbe ranë në të njëjtin grup eliminator për Botërorin e vitit të ardhshëm, teksa sfida e parë do të luhet më 7 qershor në “Arena Kombëtare”.

“Në qershor do të luani atje kundër Shqipërisë…, shkoni dhe mposhtini”, – urdhëroi presidenti serb, duke iu drejtuar trajnerit të kombëtares së vet, i pranishëm në mitingun e zhvilluar në Nish.

Kjo deklaratë nxitëse u bë gjatë një tubimi elektoral në Nish, përballë një turme entuziaste dhe nën reflektorët e nacionalizmit të pastër. I pranishëm në shesh ishte edhe trajneri i kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, të cilin Vuçiç e lavdëroi për “besnikërinë” e tij, ndërsa i bëri thirrje publike ta udhëheqë Serbinë drejt një fitoreje në tokën shqiptare, jo thjesht sportive, por me qasje politike dhe nacionaliste.

Në sfondin e kësaj deklarate të zhurmshme, që bie si një “grusht” mbi tryezën e përpjekjeve për normalizim rajonal, qëndron një e vërtetë e pakëndshme: ndeshjet Shqipëri–Serbi nuk janë kurrë thjesht 90-minutësha futbolli. Janë përballje me peshë emocionale, historike dhe simbolike, që e ngrenë tensionin përtej stadiumit ku luhet ndeshja.

Ironia e fortë nuk mund t’i shpëtojë vëmendjes, teksa vetëm pak ditë më parë, Vuçiç qëndronte ulur në Tiranë, i mikpritur nga kryeministri Edi Rama në samitin e liderëve europianë. Por ndërsa në atë tryezë predikohej bashkëpunimi, në Nish u bë thirrje për dominim sportiv, nacionalist, politik e gjithfarësh nga Vuçiç.

Më 7 qershor, Shqipëria dhe Serbia do të zbresin në fushën e “Arena Kombëtare” për një duel që ngërthen shumë më tepër sesa tri pikë. Është krenaria kombëtare, është historia, është sfida përballë njëri-tjetrit. Dhe kur politika përzihet me futbollin, loja e humbet domethënien e saj. “Zjarri” është ndezur, tensioni sa vjen e rritet.

Sigurisht, ajo që ndodhi në Beograd më 4 tetor 2014, në ndeshjen e ndërprerë në fund të pjesës së parë për shkak të fluturimit të dronit mbi stadium dhe dhunës që pasoi, beteja ligjore pastaj në CAS, ku kuqezinjtë tanë fituan 3 pikë të çmuara, vendimtare për kualifikim në finalet e “Euro 2016”, mbetet si “gjembi në mish” për serbët, të cilët do të kërkojnë shpagim në këto kualifikuese të Botërorit 2026, teksa shorti na ka vendosur në një grup.

Serbia and Albania move on from 'drone' game but tensions still simmer | Soccer | The Guardian

Drone with flag results in fracas at Albania-Serbia game - The Boston Globe

Serbia-Albania match abandoned following drone stunt, brawl | Reuters

Takimi i 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të shoqërohet jo vetëm me intensitet sportiv, por edhe me tensione jashtë fushës. Në një duel ku topi është vetëm një pjesë e betejës, emocionet, historia dhe krenaria kombëtare janë po aq të rëndësishme sa rezultati në tabelë.

Serbia, Albania Soccer Game Abandoned After Drone Incident

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit