Transmetuar më 20-05-2025, 10:44

Lautaro Martinez, kapiteni i Interit dhe një nga figurat kyçe të klubit, bën një rrëfim të ndjerë për emocionet dhe ambiciet që shoqërojnë skuadrën e tij në prag të Botërorit të Klubeve, që këtë verë zhvillohet në SHBA. Në këtë intervistë ekskluzive për faqen zyrtare të FIFA-s, Lautaro ndan ndjesitë e tij për këtë garë historike, rëndësinë e pasionit që karakterizon Interin, sfidat e ardhshme dhe rolin personal si lider i një grupi të bashkuar dhe ambicioz. Në fjalët e tij kuptohet qartë se për Interin, më shumë se trofetë, qëndron fryma dhe përkushtimi i çdo lojtari që vesh fanellën e këtij klubi të madh.

Për pjesëmarrjen në Botërorin e Klubeve: "Jam vërtet i emocionuar nga pjesëmarrja në Botërorin e Klubeve. Personalisht më kujton shumë Kupën e Botës. Mendoj se do të jetë një përvojë fantastike. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që kjo lloj gare zhvillohet me këtë format, ndaj jam shumë kurioz dhe i emocionuar për të parë si do të shkojë”.

Për sfidën ndaj Monterrey në “Rose Bowl”, Los Angeles: "Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme. Do të ketë atmosferë të jashtëzakonshme dhe padyshim të zjarrtë, sepse është një stadium i madh. Do të ketë shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Meksika nuk është larg nga Los Angeles, kështu që pres shumë tifozë të Monterrey. Më pëlqen t’i luaj ndeshje të tilla. Sa më shumë tifozë dhe sa më e zjarrtë atmosfera, aq më shumë të shtyjnë të japësh maksimumin. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Shpresoj të jetë një ndeshje pozitive për ne, por siç them gjithmonë, më e rëndësishmja është që të argëtohemi dhe të japim gjithçka për Interin".

Mbi mundësinë për t’u përballur me River Plate: "Jam përballur me këtë kundërshtar edhe kur luaja në Argjentinë, është skuadër gjigante në vendin tim. Po ashtu, River Plate është o njohur në mbarë botën. Të gjithë e dinë kush janë dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë. Duhet të përgatitemi mirë, e dimë që ata do ta marrin këtë ndeshje shumë seriozisht, njësoj si ne. Do ta trajtojmë si një finale kupe, ashtu siç bëjmë me çdo ndeshje. Do të jetë argëtuese të luaj kundër tyre, sepse njoh shumë nga lojtarët e River Plate. Disa janë edhe shokë të mi te kombëtarja, ndaj do të jetë kënaqësi".

Për objektivat e Interit në këtë turne: "E kam thënë dhe e përsëris: për mua, duke parë historinë dhe madhësinë e klubit, Interi gjithmonë duhet të synojë të fitojë trofe. Sigurisht, ndonjëherë ka pengesa dhe kundërshtarë të fortë, kështu që është normale të ketë ndalesa përgjatë rrugës, por gjëja më e rëndësishme është të japësh gjithmonë maksimumin për klubin dhe të bësh çmos për të fituar çdo garë ku marrim pjesë".

Çfarë e bën Interin kaq të veçantë: "Interi është sinonim i pasionit. Për mua, kjo është fjala kyçe që më vjen në mend kur mendoj për Interin sot. Është fjala që ia përcjellim çdo lojtari që firmos për ne. E gjitha sillet rreth pasionit për fanellën, klubin dhe stemën. Tifozët e tregojnë këtë pasion çdo javë, jam i sigurt që do të na mbështesin 100% edhe në SHBA. Ata do të jenë me ne në çdo hap. Kemi fituar shumë trofe këto vite. Titulli i fundit, që ishte vërtet i veçantë për ne, na solli yllin e dytë në fanellë, pasi mundëm rivalët tanë më të mëdhenj, Milanin. Ia dolëm me ndihmën e Zotit, e kemi shkruar emrin në historinë e klubit. Fitimi i trofeve e bën Interin një klub të madh në Itali dhe në futbollin botëror, shpresoj që të vazhdojmë kështu".

Për stilin e tij si kapiten: "Nuk e di saktësisht. Flisja shpesh me babain tim dhe i thoja se, sipas meje, liderët nuk krijohen, ata lindin të tillë. Gjithmonë them se të gjithë të punojnë në të njëjtën drejtim, sepse grupi është më i rëndësishëm se individët. Për të arritur diçka të madhe, siç është Botërori i Klubeve, kemi nevojë që të gjithë të jenë në të njëjtën gjatësi vale dhe të japin maksimumin. Sigurisht që një lider është ai që udhëheq, shembulli për të tjerët, por në fund të fundit, grupi është mbi gjithçka. Prandaj është thelbësore që lideri të jetë gjithmonë pozitiv dhe shembull për të tjerët, por njëkohësisht të ketë përfshirjen e të gjithë shokëve të skuadrës".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit