Transmetuar më 20-05-2025, 10:10

Trajneri Roberto Donadoni, i intervistuar nga “Sky Sport” gjatë një eventi të lidhur me padelin në Milano, tha: “Më mirë të mos flasim se si do të përfundojë, por e njoh ambientin e Napolit dhe as që guxoj ta imagjinoj se çfarë do të përfaqësonte për ta fitorja e këtij kampionati. Ata e kanë në duart e tyre këtë mundësi të madhe dhe do ta luajnë siç duhet. Është bukur që kampionati vendoset në javën e fundit”.

Si në vitin ’99?

Po, sezoni im i fundit te Milani. Një marshim i pabesueshëm, që askush nuk e priste. Njësoj si Napoli këtë vit, duke parë të kaluarën. E bukura është pikërisht kur ndodh ajo që askush nuk e parashikon. Të shohim se nga cila anë do të anojë peshorja.

Si e gjykon sezonin e Milanit?

Nuk ka shumë kuptim të thuash tani se nuk pritej një ecuri e tillë negative. Ka pasur alternim të vazhdueshëm mes paraqitjeve të mira dhe periudhave të errëta. Ky sezon duhet t’i shërbejë klubit për të kuptuar ku janë bërë gabimet dhe si të përmirësohen. Ata që kanë përgjegjësinë duhet të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhjet. Kanë fituar një trofe, mund të fitonin edhe një tjetër, por sezoni ka qenë gjithsesi i mangët.

Si mund të dilet nga kjo situatë?

Nga jashtë mund të bëhen mijëra analiza, por ato nuk kanë shumë vlerë. Vetëm ata që e ndjejnë atmosferën nga brenda e dinë si qëndron situata. Kur nga jashtë dëgjon gjëra si ‘ky dhe ai duan të largohen’, atëherë do të thotë se nuk ka klimë ideale për të pasur rezultate pozitive. Në momentet e vështira duhet që lojtarët të japin më të mirën nga vetja, kjo te Milani është ndjerë shumë pak.

A ka ndonjë pendesë për Interin pas ndeshjes së fundit?

Interi pati një shans të jashtëzakonshëm, por mund të ndodhte edhe që Napoli të fitonte në Parma dhe të mbyllte gjithçka. Kjo nuk ndodhi, prandaj duhet të dish ta rifillosh nga e para. Energjinë duhet ta ruash, sepse përpara është edhe një finale Champions-i. Duhet reagim i duhur mendor dhe karakter i fortë, Interi kundër Barcelonës e tregoi këtë. Ndoshta spanjollët e meritonin më shumë, por zikaltrit shkuan në finale me vendosmëri dhe grintë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit