Transmetuar më 20-05-2025, 09:49

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Real Owner”, i fokusuar në gjurmimin e pasurive të përfituara nga veprimtari kriminale.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale dhe çoi në sekuestrimin e një apartamenti dhe dy automjeteve, me vlerë rreth 228 mijë euro, të regjistruara në emër të babait të shtetasit Ismail Gjineci, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për trafikim të qenieve njerëzore.

Sekuestrimi u bë me vendim të Gjykatës së Tiranës, ndërsa hetimet po vijojnë për të identifikuar edhe pasuri të tjera të dyshuara të përfituara në mënyrë të paligjshme, të cilat 34-vjeçari mund t’i ketë fshehur përmes personave të afërm apo të tretë.

Më herët më 30 prill 2025 Prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestro për pasuritë e një familjeje në kryeqytet, djali i të cilës ishte arrestuar për trafikim femrash me qëllime prostitucioni.

I riu akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë rekrutonin vajza për prostitucion në drejtim të Italisë dhe pas kryerjes së veprimeve hetimore, në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, i caktoi atëkohë edhe masën e sigurimit ‘arrest në burg’

Më 30 prill u njoftua zyrtarisht se u sekuestruan pasuritë e Adriatik Gjinecit, një apartament dhe dy makina, si person i lidhur me Ismail Gjinecin, (djali i tij) i cili është subjekt i hetimit pasuror në bazë të ligjit ‘për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar’.

Prokuroria tha se nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit pasuror nr.81, viti 2020, mbi shtetasin Ismail Gjineci, i dënuar dhe arrestuar për veprën penale ‘trafikim i personave të rritur’ parashikuar nga neni 110/a/2 i Kodit Penal, ka dyshime se pasuria e vënë prej tij ose familjarëve të tij nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme.

Nga hetimet e shtrira tek personat e lidhur me të, rezultoi se i ati i tij, shtetasi A Gjineci me balancë negative në banka, nuk justifikon me të ardhurat blerjen e një apartamenti dhe dy makinave në pronësi të tij. Këto pasuri të paluajtshme, dyshohet se janë fituar nga personi i lidhur A.Gj., si rezultat i përfshirjes së djalit të tij të dënuar I.Gj. nga aktiviteti kriminal”, sqaroi më tej organi i akuzës.

Për sa më sipër, Prokuroria kërkoi dhe sekuestroi:

-Pasuri e paluajtshme, apartament nr. 3 me sip 117.78 m2, Pallatet “SANDY” Sh.P.K, Tiranë;

-Pasuri e luajtshme, automjet tip “Renault Scenic”; dhe

-Pasuri e luajtshme, automjet tip “Lancia”.

Më 7 Shkurt 2015, operacioni “Ekspres” prangosi katër persona, mes tyre Gjinecin. Ata u cilësuan një grup tutorësh dhe trafikantësh, që kishin ngritur një rrjet prostitucioni Shqipëri-Itali, grup që u godit nga policia dhe prokuroria, pasi ishin vërtetuar rastet e dërgimit të femrave në shtetin fqinj.

Gjatë operacionit “Ekspres”, u arrestuan shtetasit Qemal Rusi, 47 vjeç, banues në Fushë-Mëzez, Tiranë, me precedentë penalë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe djali i tij, 22-vjeçari Amarildo Rusi. Dy të arrestuarit e tjerë ishin Donard Saraçi, 48 vjeç, dhe Ismail Gjineci, 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Sipas dosjes së prokurorisë, Amarildo Rusi dyshohet se kryente rekrutimin e femrave, asistimin e tyre në pajisjen me dokumente udhëtimi dhe i dërgon në Itali. Atje priteshin nga babai i tij, i dyshuari Qemal Rusi dhe nga persona të tjerë. Amarildo Rusi komunikonte vazhdimisht me babanë e tij, duke e informuar për veprimet e kryera në funksion të rekrutimit të shtetases A.M., me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Pas krijimit të lidhjes intime, Amarildo i kërkoi A.M. të shkonin të jetonin në Itali. Biseda e Amarildos me babanë e tij dha të dhëna se qëllimi i udhëtimit të Andjas në Itali ishte shfrytëzimi për prostitucion.

Nga informacionet e marra u dyshua se Qemal Rusi dhe persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tij, ishin duke shfrytëzuar shtetaset G.S. dhe A.LL., të cilat, paratë e fituara ia dërgonin Amarildos nëpërmjet agjencive të transferimit të parave. Amarildo komunikonte hapur me babanë e tij, Qemalin, në lidhje me qëllimin e tyre për rekrutimin e vajzave të ndryshme.

Amarildo, së bashku me të dyshuarit e tjerë, Donard Saraçi dhe Ismail Gjineci, zhvillonin aktivitetin kriminal të shfrytëzimit të disa vajzave si prostituta.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit