

Në një fund sezoni të zjarrtë, me vetëm një pikë që ndan Napolin nga Interi në javën e fundit të Serie A, Antonio Cassano ka zgjedhur të mos kursejë askënd. I ftuar në podcastin “Viva El Futbol”, ish-sulmuesi i njohur italian ka shpërthyer me një koment të fortë për dy skuadrat që po luftojnë për titullin, duke ngritur në qiell punën e Contes te Napoli dhe kritikuar ashpër Interin për shpërdorimin e avantazhit.
Cassano, gjithmonë i njohur për mendimet e tij të drejtpërdrejta dhe të pakompromista, e nisi duke lavdëruar punën që Antonio Conte ka bërë në krye të Napolit, një skuadër që sezonin e kaluar ishte në kaos, mes largimeve dhe problemeve të brendshme.
“Javën e kaluar thashë: edhe nëse Napoli nuk e fiton titullin, vlerësimi im për të është 10. Po ta fitojë, atëherë meriton edhe lavdërime shtesë. Meritat e mëdha të Napolit janë të padiskutueshme, ka bërë diçka të paharrueshme, jashtë çdo logjike. Vlerësimi për të është 10 që sot. Yjet po rreshtohen për Napolin, një skuadër që e meriton ta fitojë kampionatin për mijëra arsye; mes dëmtimeve dhe lojtarëve kryesorë që janë larguar”.
Cassano e krahasoi Conten me Usain Bolt, duke theksuar se tekniku italian po garon me më pak burime, por po arrin rezultate jashtëzakonisht të mëdha për shkak të karizmës dhe kapacitetit për ta motivuar grupin: “Pa dyshim që e meriton titullin më shumë se Interi. Conte është një gjeni, e ka helmin në gjak, po shpik gjithçka këtë sezon.
Është sikur të shkosh të vraposh dhe të jesh i treti ose i katërti përballë Usain Bolt, me një sekondë diferencë, që janë si 10 metra distancë. Megjithatë, Conte e ka përmbysur gjithçka, është bërë vetë Bolt, pa i pasur mundësitë dhe cilësitë. I ka bërë lojtarët të besojnë se mund të shkojnë përtej diellit, ka bërë një mrekulli”.
Cassano nuk ka dyshime për rezultatin e ndeshjes vendimtare që Napoli do të luajë në “Maradona”, përballë një Cagliari tashmë të shpëtuar: “Ndeshjen e së premtes do ta fitojnë 80 mijë tifozët e ‘Maradona’, 100%. Cagliari është i shpëtuar dhe, nëse ndodh ndonjë e papritur, nuk del dot nga stadiumi deri në vitin 2042”.
Në anën tjetër, për Interin ka pasur vetëm kritika të ashpra. Cassano e cilësoi sezonin e zikaltrëve si dështim të rëndë, duke theksuar se me një skuadër kaq të plotë dhe të thellë, humbja e titullit është e pafalshme: “Tani të flasim për Interin; titullin po e humb prej p*rdhëve të mëdha, edhe pse ka 22 titullarë. Po ta aktivizosh 11-shen e dytë të Interit në çdo ekip tjetër, sërish është më e fortë”.
Deklarata që, si gjithmonë, nuk lënë vend për interpretime dhe pasqyrojnë një realitet që shumë tifozë e analistë ndoshta e mendojnë, por nuk guxojnë ta thonë me zë të lartë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






