

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen për privatizimin e ish-kompleksit sportit Partizani, për të cilën janë nën akuzë kreu i PD-së Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi
Gjyqtarja paraprake e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Flojera Davidhi, ka vendosur kalimin për gjykim themeli të çështjes së njohur si “Dosja Partizani”, në të cilën janë të pandehur tetë persona, mes tyre edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Sipas vendimit, certifikohen hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që akuzon Berishën për korrupsion pasiv. Të pandehur janë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të dy nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.
SPAK pretendon se aktet nënligjore të miratuara në lidhje me truallin e ish-Kompleksit Sportiv "Partizani" janë përshtatur në funksion të pesë familjeve pronare dhe janë miratuar përmes një skeme korrupsioni. Për këtë çështje janë vendosur masa sigurie ndaj pasurive dhe ndaj të pandehurit Malltezi, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.
Vendimi për kalimin në gjykim erdhi pas tetë muajsh seancash paraprake, ku pala mbrojtëse kërkoi pushimin e çështjes, ndërsa SPAK këmbënguli në dërgimin e saj për gjykim të plotë.
Gjykata pritet të hedhë shortin për caktimin e trupës gjykuese që do të shqyrtojë çështjen në themel. Krahas personave fizikë, në proces do të përfshihen edhe tre shoqëri që dyshohen për pastrim parash.
Pas seancës, avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, deklaroi se ka kërkuar pavlefshmërinë e disa akteve të procedurës hetimore, duke përmendur vendimmarrjen e mëparshme të gjyqtares Irena Gjoka. Sipas tij, kjo kërkesë u rrëzua pa një argumentim të detajuar. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






