Transmetuar më 19-05-2025, 14:29

Izrael, 19 maj 2025 – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të marrë nën kontroll të gjithë territorin e Rripit të Gazës, mes operacioneve intensive tokësore që po zhvillohen në veri dhe jug të enklavës palestineze.

Në një video të postuar në llogarinë e tij në Telegram, Netanyahu theksoi se luftimet po zhvillohen me intensitet dhe se forcat izraelite po përparojnë. Ai shtoi se Izraeli nuk do të tërhiqet dhe se duhet të veprojë me forcë për të siguruar suksesin e fushatës ushtarake.

Paralelisht me ofensivën, Netanyahu tha se Izraeli do të lejojë hyrjen e një sasie bazë ndihmash ushqimore në Gazë, për të shmangur një krizë urie që mund të ndikojë negativisht në arenën ndërkombëtare. “Nuk duhet ta lejojmë popullsinë të zhytet në uri për arsye praktike dhe diplomatike”, deklaroi ai.

Kryeministri izraelit shtoi se disa nga aleatët e ngushtë të Izraelit, përfshirë senatorë amerikanë, kanë shprehur mbështetje për operacionet ushtarake, por i kanë kërkuar shmangien e imazheve të urisë masive nga Gaza. “Ne do t’ju japim ndihmën që ju nevojitet për të fituar luftën, por nuk mund të pranojmë imazhe të urisë”, i kanë thënë ata, sipas Netanyahu-t.

Deklaratat e fundit të kryeministrit izraelit vijnë në një moment kritik për krizën humanitare në Gaza, ku situata mbetet e rëndë dhe komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për ndërprerje të luftimeve dhe sigurimin e ndihmës për civilët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit