

I jep fund jetës në qelinë e burgut i dënuari Qani Hamit Muça.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:
Sot, më datë 19 maj 2025, rreth orës 03:34, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fushë-Krujë, i paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit.
Ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, kati i dytë, godina B, ku i ndjeri qëndronte së bashku me pesë të paraburgosur të tjerë.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 03:34 është vënë re nga një prej të paraburgosurve që Muça po vonohej më shumë sesa zakonisht.
Ky i fundit ka hapur derën dhe ka konstatuar Qani Muçën të vetëvarur në grilën e dritares. Menjëherë është njoftuar shërbimi i sigurisë, ndihmës-mjeku i institucionit, si dhe janë njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm në Burgje (SHKBB).
Grupet hetimore kanë mbërritur në ambientet e institucionit rreth orës 04:00 dhe kanë nisur procedurat për dokumentimin dhe hetimin e ngjarjes.
I ndjeri, Qani Hamit Muça, i datëlindjes 02.07.1967, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ishte i divorcuar, me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë.
Ai ishte arrestuar më datë 12.08.2024 për veprat penale: “Vrasje e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” (nenet 79/a–22 dhe 278/1 të Kodit Penal). Në IEVP Fushë-Krujë ishte transferuar më datë 28.09.2024 nga IEVP “Jordan Misja”.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjes!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






