Transmetuar më 19-05-2025, 10:42

Kevin De Bruyne është i hapur për transferim në një klub tjetër të Premier League, por pranon se destinacioni i tij i ardhshëm është “situatë komplekse”.

Kapiteni i Manchester City, mesfushori belg 33-vjeçar, objektiv dhe ëndërr merkatoje për Napolin, është në skadencë kontrate (në fund të sezonit) me klubin anglez. Ai ka njoftuar tashmë se nuk do të rinovojë, pas vendimit të qartë të klubit për ta ndërprerë bashkëpunimin.

“Dua të luaj futboll të bukur”, – deklaroi ai për “Sky Sports UK”. Më pas iu drejtua gazetarëve të pranishëm: “E di që po përpiqeni të parashikoni se ku do të shkoj, por do ta mësoni kur ta mësoj edhe unë.

Varet kush do të paraqesë ofertën më të mirë për mua. Kam një familje, fëmijë të vegjël. Duhet të marr një vendim që është i mirë për të gjithë, jo vetëm për mua. Po të isha 20 vjeç do ishte një vendim i lehtë, por tani gjërat janë pak më të ndërlikuara”.

I pyetur nëse ka folur tashmë me klube të tjera, De Bruyne pranoi: “Po, sigurisht”.

Një përgjigje që lë shumë hapësirë për interpretim, veçanërisht pas kontakteve me Napolin dhe ofertës ende në tryezë (kontratë 2-vjeçare me 7 milionë euro në sezon). Ndërkohë, Mohamed Salah ka tentuar ta afrojë te Liverpool-i:

“Dua ta përgëzoj për karrierën. Ka bërë një punë fenomenale te Manchester City, ka qenë një lojtar i madh për gjithë Premier League. I uroj më të mirën. Mendoj se kemi hapësirë për të në skuadrën tonë”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit