

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për mediat në lidhje me të ardhmen e talentit të ri Lamine Yamal, duke konfirmuar se rinovimi i kontratës me të tashmë është i përfunduar, mungon vetëm nënshkrimi zyrtar. "Rinovimi i kontratës së Lamine është dakorduar tashmë, e vetmja gjë që mbetet është firma zyrtare", – deklaroi Laporta, duke larguar çdo dyshim mbi të ardhmen e anësorit të talentuar.
Më pas, presidenti vlerësoi lidhjen e fortë të lojtarit me klubin dhe shokët e ekipit: "Është një gjeni që e shijon lojën me Barcelonën, ka miq në klub. Është pjesë e një brezi që ka lidhje të forta me shokët e skuadrës. Përfaqësohet nga agjenti Jorge Mendes, kemi komunikim të lehtë me të".
I pyetur për rritje të ndjeshme të pagës për lojtarin e ri, Laporta ishte i qartë: "Te Barcelona, lojtarët i paguajmë sipas aftësive të tyre. Jemi një klub që paguan mirë. E themi gjithashtu se nuk ka vend më të mirë se Barcelona.
Diçka e ngjashme më ndodhi me Lionel Messin, kur Interi u përpoq ta afronte dhe në fund vendosëm të gjithë, përfshirë edhe babain e tij, që Barcelona kishte projektin më të mirë për të. Ishte vendimi i duhur, sepse u bë lojtari më i mirë në histori. Në moshën 17-vjeçare, Lamine është tashmë ndër lojtarët më të mirë në botë dhe ndihet mirë këtu, ashtu si edhe familja e tij".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






