Transmetuar më 17-05-2025, 11:45

Një tjetër sezon i Kategorisë Superiore ka ulur siparin, duke dhuruar emocione, surpriza, dramë dhe dominim absolut nga një emër që dikur jetonte në hijet e të mëdhenjve, por që sot është pa asnjë mëdyshje “mbretëresha” e futbollit shqiptar: Egnatia.

Egnatia – kampione e pjekur, me ide dhe karakter

Në një kampionat të gjatë dhe të ashpër, Egnatia e Edlir Tetovës u shfaq si një makinë fituese, me motor të qëndrueshëm dhe timon të sigurt. Kryesoi për afro 36 javë kampionatin e rregullt dhe nuk la asnjë hapësirë për dyshime në “final four”, ku shpërtheu në finale me fitoren 4-0 ndaj Vllaznisë, duke vulosur titullin kampion për vitin e dytë radhazi. Një ekip i ndërtuar me vizion dhe durim, i udhëhequr në stol nga një strateg modern si Tetova dhe në prapaskenë nga ambicia e presidentit Agim Demrozi, që me punë dhe investime e ka shndërruar klubin rrogozhinas në një model suksesi. Pas tripletës sezonin e kaluar; kampionat, Kupë dhe Superkupë, Egnatia tashmë shikon përtej kufijve, e gatshme ta thotë me forcë zërin e saj edhe në Kupat e Europës.

Dinamo City, kupa e rikthimit

Në sfidën kryesore që mbylli sezonin futbollistik shqiptar, Dinamo City preku trofeun në stadiumin “Elbasan Arena”, duke fituar Kupën e Shqipërisë pas shumë vitesh thatësire. Finalja ishte e ethshme dhe dramatike ndaj Egnatias, fitueses në fuqi, e cila këtë radhë u dorëzua nga pika e bardhë e penalltive. Një triumf që rikthen në skenë një nga emrat më të rëndësishëm të historisë së futbollit shqiptar, i rikthen “blutë” e Ilir Dajës në arenën europiane.

Tirana, “mbretëresha” që luftoi për mbijetesë

Tirana, klubi më i titulluar në vend, përjetoi një nga sezonet më të vështira në histori. E gjithë pesha e fanellës, historisë dhe tifozërisë rrezikoi të shembej në një “play out” dramatik për mbijetesën, ku fati dhe përvoja mezi bënë diferencën ndaj Pogradecit. Me një fitore të vuajtur “in extremis”, por të domosdoshme, kryeqytetasit shpëtuan në limite. Tashmë pritet një “revolucion” i thellë nga presidenti Halili për t’iu rikthyer lavdinë ngjyrave bardheblu.

Vllaznia, nga shpresat te zhgënjimi

Skuadra shkodrane e nisi dhe e vijoi sezonin me ambicie për 36 javë kampionat, por gjithçka u shua në finalen e humbur 4-0 ndaj Egnatias. Ballafaqimi me më të mirët, kampionët e vjetër dhe të rinj të vendit, jo vetëm i mohoi trofeun skuadrës kuqeblu, por i nxori në pah të gjitha limitet. Pas asaj disfate, trajneri Thomas Brdariç dhe drejtori sportiv Tefik Osmani u shkarkuan menjëherë si “kurbanë” të një sezoni me dritë-hije për shkodranët. Për sezonin e ri, drejtimin e skuadrës do ta marrë Edi Martini, një emër i lidhur fort me ngjyrat kuqeblu dhe që pritet të rikthejë identitetin e munguar.

Partizani – Europë po, trofe jo

“Demat e kuq” ishin një enigmë më vete. Tre trajnerë në një sezon, Veselinovic, Abilaliaj dhe më pas Gega, nuk arritën të stabilizonin një ekip që, pas shitjes së disa prej yjeve në janar, pati më shumë luhatje se ritëm. Gjithsesi, të kuqtë arritën të siguronin një biletë për Kupat e Europës, por sezoni u mbyll pa trofe, pa stabilitet dhe me shumë pikëpyetje për të ardhmen.

Një sezon me ritëm europian

Superliga Shqiptare po kalon një transformim të dukshëm. Klubet po profesionalizohen, stadiumet janë moderne dhe niveli taktik është rritur. Mbi të gjitha është rritur konkurrenca në të dyja skajet e klasifikimit. Kjo u pa qartë në një sezon ku mbijetesa e Tiranës u vendos në “play out”, Dinamo City u kthye pas shumë vitesh te një trofe, ndërsa Egnatia “ha bukë më vete”, dominon si askush tjetër. Egnatia 2024-2025 nuk ishte më surprizë, por realitet i pamohueshëm, duke i rikonfirmuar kampione e vendit. Tani është koha për hapin e radhës të rrogozhinasve, me në krye Edlir Tetovën: të bindin edhe në Europë. Me këtë ritëm të treguar në garat kombëtare, askush nuk mund ta përjashtojë paraqitjen dinjitoze të Egnatias edhe përtej kufijve, sigurisht duke pasur më shumë fat se sezonin e kaluar.

Përmbledhja e sezonit

Kategoria Superiore 2024-2025 e uli siparin pas një sezoni të luftuar, ku Egnatia, si një tren i pandalshëm, vulosi dominimin e saj të dytë radhazi në fronin e futbollit shqiptar. Dinamo City i dha jetë historisë me një trofe të munguar prej vitesh, duke triumfuar në një finale epike për Kupën e Shqipërisë. Tirana, krenaria e futbollit shqiptar për klubet, luftoi me hijet e rënies dhe shpëtoi në limit, ndërsa Vllaznia u shemb në momentin më vendimtar, duke i hapur rrugë një epoke të re me Edi Martinin në krye. Partizani u kthye në Europë, por pa asnjë “kurorë” për të treguar. Egnatia jo vetëm fitoi, por tregoi se është gati të jetë “ambasadorja” e re e Shqipërisë edhe në futbollin kontinental.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit