Transmetuar më 17-05-2025, 10:55

Legjenda e pankinës kuqezi, por jo vetëm, Arrigo Sacchi, nuk i ka kursyer kritikat për Milanin pas humbjes zhgënjyese në finalen e Kupës së Italisë ndaj Bologna. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri që ndryshoi historinë e “Djallit” shprehu hapur trishtimin dhe zhgënjimin për drejtimin që ka marrë klubi aktual.

“Ta shoh Milanin në këtë gjendje më jep një trishtim të madh, sepse unë jam i lidhur me atë ambient, me tifozët, me ato ngjyra. Duke parë finalen e Kupës së Italisë, të humbur me meritë ndaj Bologna, mora konfirmimin e asaj që mendoja që në fillim të këtij sezoni: Milani nuk është një skuadër”.

Klubi nuk ka ide të qarta

Sacchi i është kthyer periudhës së artë me presidentin Silvio Berlusconi, duke e krahasuar qartë vizionin e së kaluarës me paqartësinë e së tashmes: “Presidenti Berlusconi, kur më mori mua, më tha që synimi i tij ishte të fitonte dhe të bindte me lojë. Donte që Milani të bënte spektakël, t’i argëtonte njerëzit. Kishte një ide dhe dinte si t’ua përcillte bashkëpunëtorëve të tij. A ju duket se Milani i sotëm, si klub, ka ndonjë ide? Mua më duket se jo”.

Kaos në pankinë dhe lëvizje të gabuara

Sa i përket menaxhimit të trajnerëve, Sacchi vëren mungesë vizioni që, sipas tij, ka dëmtuar rëndë ekipin: “Zgjedhja e trajnerit në fillim të sezonit është thelbësore. Milani, verën e kaluar, fillimisht mendoi të merrte Lopeteguin, por më pas, pasi tifozët u zemëruan, kaloi te portugezi Fonseca. Ata që morën këtë vendim bënë një gabim të madh. Në mes të sezonit e ndryshuan mendimin dhe ia besuan pankinën Sergio Conceiçao, i cili sipas meje është më pak fajtor se të gjithë, sepse u gjend në kaos total. Dhe në fund, do ta shihni që pikërisht ai do të paguajë, sepse ky është një ligj i vjetër dhe absurd i futbollit: largo trajnerin dhe bëj sikur gjithçka rregullohet”.

Kritika të drejtpërdrejta për merkaton

Nuk mungojnë kritikat as për politikën e merkatos dhe ndërtimin e skuadrës. Sacchi nënvizon mungesën e një filozofie të qartë dhe përzgjedhjet pa kriter: “Milani është një përzierje lojtarësh të marrë pa kriter. Nuk po diskutoj cilësitë e tyre teknike individuale, edhe pse mund ta bëja. Problemi është se nuk janë elementë që formojnë një skuadër. Bëhen blerje nga jashtë dhe sinqerisht nuk e kuptoj pse; vijnë lojtarë me përvoja dhe kultura krejtësisht të ndryshme. Duhet përpjekje për t’i përshtatur, por në këtë mënyrë si mund të krijosh një stil loje”.

Një mesazh i fortë dhe i drejtpërdrejtë nga njeriu që i dha Milanit identitet e lavdi historike. Kritikat e Sacchi tingëllojnë si alarm për një klub që duket se ka humbur rrugën mes nostalgjisë për të shkuarën dhe konfuzionit në të tashmen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit