Transmetuar më 16-05-2025, 11:14

Ish-presidenti historik i Interit, Massimo Moratti, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka komentuar si të kaluarën e lavdishme të klubit, ashtu edhe situatën aktuale nën drejtimin e Simone Inzaghit. Këto janë disa nga deklaratat më të rëndësishme të tij:

Rreth luftës për titullin: “Ta fitonim titullin e dytë radhazi do të më pëlqente shumë, por është e qartë që Liga e Kampionëve ka një shije të veçantë. Besoja ende te titulli, sepse e dija që Patrick Vieira është i zoti dhe Genoa e tij mund të merrte rezultat në fushën e Napolit. Këtë e dinte edhe Conte. Interi nga ana tjetër pati zgjuarsinë të ndërtojë një ekip të dytë po aq të fortë sa i pari. Po të mos kishte fituar në Torino, besoj se Napoli, me më pak presion, do t’i kishte marrë ato tri pikë”.

Për Parma-Napoli dhe Cristian Chivu: “Chivu ka bërë një punë shumë të mirë. Është një person i veçantë. Kam folur me të, por jo për ndeshjen e së dielës. Ka bërë mirë me Parmën, edhe pse në ndeshjet e fundit ka qenë shumë i pafat, kundërshtarët i kanë shënuar gola nga goditje në cep të portës. Për Napolin nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. As për ne kundër Lazios, por luajmë në shtëpi. Unë besoj, gjithsesi”.

Më i mundshëm, Champions apo titulli i Serie A: “Unë them titulli kampion në Itali. Në një finale të Ligës së Kampionëve mund të ndodhë gjithçka. Në Serie A mbetet të luhen edhe dy ndeshje, pavarësisht se kundërshtari është një pikë para në renditje”.

Ai ka veçuar disa prej lojtarëve zikaltër, që e kanë impresionuar: “Mua më pëlqen shumë Barella, është përmirësuar jashtëzakonisht. Një lojtar që të befason, driblon, lufton, është i rrezikshëm në sulm. Më pëlqen edhe Lautaro, është shumë i fortë. Më pëlqen Thuram, e njoh babain e tij”.

Për trajnerin Simone Inzaghi: “E kam ndryshuar mendimin tim. Në fillim nuk e konsideroja të përshtatshëm për Interin, por në fakt është shumë i aftë, i përgatitur, i menaxhon mirë situatat më delikate, ka gjykim racional dhe është gjithmonë i qetë”.

Në fund, një koment për presidentin aktual të klubit, Beppe Marotta: “Po e bën shumë mirë punën e tij. Edhe unë e kisha kërkuar që në kohën kur ishte te Sampdoria”.

Mbi Interin e tij të preferuar: “Interi i madh i babait tim ishte një shembull dhe më mbetet në zemër, ishte ekuivalenti i ‘Beatles’. Unik, ashtu si ajo katërshe që tronditi një epokë të tërë. Nuk do të mund të gjeja krahasime muzikore për skuadrat e tjera që kam pasur si president. Interi im i preferuar mes atyre që nuk fituan? Varet çfarë kuptohet me këtë… Ai i tripletës bëri histori, por jam shumë i lidhur edhe me djemtë e mrekullueshëm të vitit ’98, që nuk e fituan titullin vetëm për shkak të një vjedhjeje të Juventusit”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit