Transmetuar më 16-05-2025, 11:06

Mesfusha e Interit mund të përjetojë një transformim të thellë gjatë merkatos verore. Nuk bëhet fjalë për thjesht rregullime, por, sipas asaj që raporton “Tuttosport”, për revolucion të vërtetë. Aktualisht, vetëm tre lojtarë duken të sigurt për sezonin e ardhshëm: Nicolò Barella, Hakan Çalhanoğlu (përveçse nëse ndodh ndonjë e papritur) dhe Piotr Zielinski. Atyre do t’iu bashkohet edhe talenti Petar Sucic, i marrë nga Dinamo Zagreb.

Por çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër të mesfushës zikaltër? Henrikh Mkhitaryan, një prej liderëve të skuadrës dhe njeri kyç për Simone Inzaghin, ka lënë të kuptohet se mund të tërhiqet nga futbolli aktiv në fund të sezonit. Inzaghi do të bënte gjithçka për ta mbajtur, por në rast triumfi në Champions League, “Mkhi” mund të vendosë t’i thotë lamtumirë fushës së blertë.

Davide Frattesi, nga ana tjetër, nuk ka qenë i kënaqur me minutazhin e pakët. Në janar ishte shumë afër largimit, me Romën dhe Napolin në pritje, por më pas u shndërrua në hero të Champions League, me golat e tij vendimtarë. Pavarësisht kësaj, stili i tij i lojës nuk përputhet plotësisht me filozofinë e Inzaghit, ndaj largimi në verë nuk mund të përjashtohet.

Kristjan Asllani, shqiptari që pritej të shpërthente këtë sezon, ka zhgënjyer në aspektin e personalitetit dhe rritjes. Interi është i gatshëm ta shesë, ndoshta në huazim, ose duke e përfshirë në ndonjë shkëmbim lojtarësh.

Nëse Frattesi largohet, Sucic shihet si zëvendësuesi i tij i gatshëm. Në rast largimi edhe të Mkhitaryan e Asllanit, Interi do të detyrohet të bëjë të paktën dy përforcime të reja në mesin e fushës.

Në listën e Marotta dhe Ausilio janë Hans Nicolussi Caviglia (Venezia), një profil i përshtatshëm si zëvendësues për Çalhanoğlu, si dhe Samuele Ricci (Torino), i vlerësuar mbi 30 milionë euro, me Milanin në “pole position”. Po ashtu, Morten Frendrup (Genoa), alternativë solide për mesfushën zikaltër, dhe Giovanni Fabbian (Bologna), për të cilin Interi ka të drejtën e blerjes për 12 milionë euro.

Dhe pastaj është ëndrra Nico Paz, që po shkëlqen te Como si trekuartist. Inzaghi e sheh si një "Luis Alberto të ri", perfekt si “mezzala” apo pas sulmuesit. Sidoqoftë, Fabregas dhe Real Madridi kanë plane të tjera për të… Një verë e nxehtë po afron për mesfushën zikaltër; shumë pikëpyetje, shumë opsione dhe ndoshta një faqe e re për Interin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit