Transmetuar më 16-05-2025, 11:04

Erling Haaland ka dhënë një intervistë të gjatë për “BBC Sport”, ku ka folur për sezonin "e tmerrshëm" të Manchester City, që mund të mbyllet vetëm me fitimin e “FA Cup” dhe vendin e tretë në kampionat:

“Ky sezon ka qenë i vështirë. Nuk është aspak e këndshme të humbasësh kaq shumë ndeshje. Është e dhimbshme dhe nuk ka asgjë argëtuese, prandaj duhet ta mbyllim mirë dhe të sjellim një trofe në shtëpi. Është një zakon i mirë të arrish në ‘Wembley’, është gjithmonë e rëndësishme të fitosh”.

Skuadra e Pep Guardiolës, e shkëputur me 18 pikë nga Liverpool-i kryesues, ka qenë kampione e Anglisë katër sezonet e fundit dhe fitoi Champions League më 2023: “Nëse nuk fiton pesë trofe, nuk konsiderohet sezon i suksesshëm. Këto janë standardet që kemi vendosur.

Nuk kemi bërë sa duhet në kampionat, por shpresojmë ende të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Crystal Palace është një skuadër vërtet e vështirë për t’u përballur. Në ‘Selhurst Park’ barazuam, edhe në ‘Etihad’ na e vështirësuan shumë punën.

Është një skuadër fantastike, me lojtarë cilësorë. Ne nuk kemi qenë mjaftueshëm të qëndrueshëm këtë sezon, nuk kemi fituar sa duhet, kaq e qartë është situata. Duhet të luajmë më mirë në ndeshjet më të rëndësishme.

Nuk kemi fituar mjaftueshëm ndeshje radhazi. Sigurisht, kemi pasur dëmtime gjatë gjithë sezonit, por nuk duhet të kërkojmë justifikime. Nuk kemi dhënë maksimumin dhe, nëse nuk je në nivelin më të lartë në Premier League, është shumë e vështirë”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit