Transmetuar më 16-05-2025, 10:58

Kylian Mbappé ka "fshirë" një rekord të një legjende të Real Madridit. Pas kalimit të Zamoranos dhe shpalljes si debutuesi më produktiv në historinë e “Los Blancos”, francezi ka përmirësuar së fundi edhe numrin e golave të shënuar në La Liga nga një lojtar i Real Madridit në sezonin e parë.

Kampioni i botës 2018 realizoi golin e tij të 28-të në kampionatin spanjoll kundër Mallorca, një më shumë se legjenda Alfredo Di Stéfano, i cili kishte shënuar 27 gola në sezonin 1953-1954. Janë gjithsej 40 gola të shënuar nga ish-lojtari i PSG-së në të gjitha kompeticionet, këtë sezon.

Një arritje simbolike që vetëm braziliani Ronaldo e kishte regjistruar në sezonin e tij të parë me një klub të La Liga-s. “Fenomeni” arriti deri në 47 gola në sezonin 1996-1997 me Barcelonën. Mbappé është ende larg atij rekordi, por mund të vendosë një tjetër.

Bëhet fjalë për rekordin e golashënuesit më të mirë francez në një sezon, në katër kampionatet më të mëdha europiane (Angli, Gjermani, Itali, Spanjë). Përpara tij qëndron vetëm Thierry Henry, që shënoi 30 gola në Premier League me Arsenalin, në sezonin 2003-2004.

Falë 6 golave në 3 ndeshjet e fundit, Mbappé ka marrë kryesimin në renditjen e golashënuesve të La Liga-s, me 3 gola më shumë se Robert Lewandowski, dhe është rikthyer fuqishëm në garën për “Këpucën e Artë” europiane, që do ta sfidojë deri në fund me Viktor Gyökeres dhe Mohamed Salah.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit