

Tiranë, 15 maj 2025 – Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, mbërriti sot në Tiranë për një vizitë zyrtare historike, i pari kryeministër britanik që shkel në Shqipëri në kuadër të një takimi dypalësh.
Pas takimit me Kryeministrin Edi Rama, të dy udhëheqësit mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u njoftua thellimi i partneritetit strategjik në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe emigracionit.
“Ju jeni kryeministri i parë i Mbretërisë së Bashkuar që viziton Tiranën për një vizitë bilaterale,” deklaroi Edi Rama në hapje të konferencës. “Kjo vizitë vjen në vigjilje të Samitit të Komunitetit Politik Europian dhe e çmojmë jashtëzakonisht shumë.”
Kryeministri shqiptar vuri theksin te rezultatet konkrete të bashkëpunimit me Britaninë për ndalimin e emigracionit të paligjshëm dhe dekonspirimin e rrjeteve kriminale.
“Në vitin 2022, kur ngritëm task-forcën e përbashkët, numri i shqiptarëve që mbërritën ilegalisht në Britani ishte 12 mijë. Sot, në 2024, është ulur në disa qindra,” tha Rama. “Dhe është koha që shqiptarët të mos stigmatizohen më si problem i Britanisë, sepse faktet flasin vetë.”
Rama kundërshtoi publikisht mitet e shpërndara në mediat britanike: “Shifra që thuhet se një në 50 shqiptarë është në burg në Britani është një gënjeshtër. E vërteta është një në 500.”
Nga ana e tij, Kryeministri Keir Starmer e quajti Shqipërinë “një partner të fortë dhe aleat të besueshëm” dhe vlerësoi punën e përbashkët në sigurinë kufitare.
“Sot në mëngjes vizitova portin e Durrësit dhe pashë me sytë e mi se si autoritetet tona punojnë krah për krah për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar,” tha Starmer.
Ai përmendi se si modeli i bashkëpunimit me Shqipërinë mund të shërbejë si shembull edhe për vende të tjera: “Në vend që të shkruanim letra njëri-tjetrit, ne përveshëm mëngët. Dhe funksionoi.”
Në fushën e mbrojtjes, dy kryeministrat njoftuan nënshkrimin e një deklarate për prodhimin e përbashkët të automjeteve ushtarake në Shqipëri.
“Do të nisim me automjetet që i shërbejnë qëllimeve tona të përbashkëta. Dhe më pas, sa më shumë aq më mirë,” deklaroi Rama, duke theksuar nisjen e një epoke të re për industrinë ushtarake shqiptare.
I pyetur për mundësinë që Shqipëria të pranojë ngritjen e një qendre për përpunimin e emigrantëve të paligjshëm për llogari të Britanisë, Rama u përgjigj prerë: “Kjo marrëveshje është vetëm me Italinë. Kemi qenë të qartë që në ditën e parë. Jemi besnikë ndaj ‘martesës’ me Italinë.”
Nga ana e tij, Starmer tha se Britania është në bisedime me disa vende të tjera për çështje të qendrave të kthimit, por jo me Shqipërinë.
Në fund të konferencës, u diskutua edhe pozicioni ndaj luftës në Ukrainë dhe roli i Shqipërisë në përpjekjet për paqe dhe siguri.
“Ne kemi qenë në krah të Ukrainës që në fillim dhe do të vazhdojmë të jemi,” deklaroi Rama, duke shtuar se Shqipëria është pjesë e projektit europian për paqe, pavarësisht se është një vend i vogël.
Kryeministri Starmer e mbylli me një mesazh të qartë: “Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar. Kjo vizitë është dëshmi e asaj që mund të arrijmë kur punojmë së bashku.” /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd