Transmetuar më 15-05-2025, 14:03

Sarandë – Aksident tragjik në aksin Borsh–Fterrë, humb jetën një punonjës policie, dy të plagosur rëndë

Sarandë, 15 maj 2025 – Një aksident i rëndë rrugor është shënuar këtë mesditë në jug të vendit, në aksin rrugor Borsh–Fterrë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor, duke shkaktuar një viktimë dhe dy të plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00. Sipas informacionit paraprak të policisë, dyshohet se drejtuesi i mjetit tip “Toyota” ka humbur kontrollin e automjetit gjatë qarkullimit në një prej kthesave të rrugës. Për pasojë, mjeti ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në një kanal anësor me pjerrësi të theksuar.

Në automjet ndodheshin tre persona: R. X., V. Th. dhe Eduart Maçi, rreth 47 vjeç, ky i fundit punonjës i policisë. Për shkak të dëmtimeve të rënda të pësuara nga përplasja, punonjësi i policisë ka humbur jetën në vendngjarje.

Dy personat e tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës, ku po marrin ndihmën mjekësore të specializuar. Gjendja e tyre shëndetësore raportohet e rënduar, ndërsa mjekët po bëjnë përpjekje për t’u ardhur në ndihmë.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, grupi hetimor dhe ekipi mjekësor. Është bërë sigurimi i perimetrit të zonës për vijimin e hetimeve dhe për të lehtësuar lëvizjen në rrugën ku ndodhi aksidenti.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për përcaktimin e saktë të drejtuesit të mjetit në momentin e ngjarjes. Po ashtu, do të kryhen ekspertiza teknike mbi gjendjen e mjetit dhe kushteve të rrugës në segmentin ku ndodhi përplasja. /noa.al

Foto arkiv

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit