Transmetuar më 15-05-2025, 11:55

Prishtinë- Kriza institucionale në Kosovë po zgjatet. Për të 16-ën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke thelluar ngërçin politik që vijon prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në seancën e sotme, e cila u drejtua nga kryesuesi Avni Dehari, dështoi votimi për formimin e Komisionit Zgjedhor që do të hapte rrugën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Propozimi nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme, çka solli ndërprerjen e seancës.

Mbledhja parlamentare pritet të rifillojë të shtunën, në orën 10:00.

Pavarësisht se është partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka arritur ende të sigurojë shumicën e nevojshme për të zgjedhur kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, në krye të Kuvendit. Në raundet e mëparshme, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje duhen të paktën 61.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, mbeten të bashkuara në kundërshtimin e kandidaturës së Haxhiut, duke penguar përpjekjet e mazhorancës për të dalë nga bllokada.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit