Transmetuar më 15-05-2025, 11:51

KF Vllaznia, me kënaqësi njofton rikthimin e Edi Martinit në krye të pankinës kuqeblu. Pra, nuk ka agjatur shumë bosh ky pozicion, pas largimit të Thomas Brdaric, i cili së bashku me drejtorin Tefik Osmani u shkarkuan nga pozitat e tyre, direkt mbas humbjes 4-0 në finalen e “final four”, me titullin që shkoi sërish tek Egnatia.

Pas një periudhe të shkurtër reflektimi dhe vlerësimi të alternativave më të mira për të ardhmen e ekipit kuqeblu, presidenti Alban Xhaferi ka bërë zgjedhjen përkatëse, duke i besuar një pinjolli Shkodran 24-karatësh.

“KF Vllaznia është e lumtur të konfirmojë arritjen e marrëveshjes me njërin prej emrave më të njohur dhe më të respektuar të futbollit shkodran dhe shqiptar, Edi Martini, i cili do të marrë drejtimin e skuadrës për sezonin 2025-2026”, – bën me dije klubi shkodran i futbollit.

Ky rikthim i bujshëm shënon një moment të rëndësishëm për KF Vllaznia, që ka nevojë për një figurë me eksperiencë, pasion dhe lidhje të forta me ngjyrat kuqeblu. Edi Martini nuk është vetëm një trajner profesionist me rezultate të prekshme, por edhe bir i qytetit, që e njeh më mirë se kushdo tjetër historinë, traditën dhe emocionin që përfaqëson fanella kuqeblu.

Në të kaluarën, Martini ka treguar aftësi të larta drejtimi, qetësi strategjike në momentet vendimtare dhe ndjeshmëri të veçantë për t’iu dhënë grintë e shpirt sakrifice ekipeve të tij. Rikthimi i tij në “shtëpi” pritet të sjellë entuziazëm të ri, besim në radhët e tifozëve dhe frymë të re pune e ambicie për klubin.

Nga sot nis një rrugëtim i ri me sytë drejt objektivave madhorë, me bindjen se me Edi Martinin në krye, Vllaznia do të rikthehet të pretendojë, të jetë aty ku e ka vendin, në majat e futbollit shqiptar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit