

Kapshticë, 15 maj 2025 – Një shtetas 66-vjeçar nga Tirana është ndaluar nga policia në pikën kufitare të Kapshticës pasi u kap duke tentuar të nxjerrë jashtë territorit të Shqipërisë një shumë prej 30 500 eurosh, pa e deklaruar në doganë.
Gjatë kontrolleve të shtuara nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin Bujar Sina u ndalua për kontroll të detajuar në vijën e dytë. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe sekuestruan 30 500 euro që ai po i transportonte pa deklarim, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Pas dokumentimit të rastit, ndaj 66-vjeçarit u nis procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






