

Java e 37-të e Premier League do të nisë me një supersfidë: Chelsea–Manchester United. Ndeshje e rëndësishme për blutë e Londrës, që luftojnë me Manchester City, Aston Villa dhe Nottingham Forest për një vend në Ligën e Kampionëve. Ndryshe qëndron puna për Manchester United, që po përpiqet të rimëkëmbet pas një serie paraqitjesh zhgënjyese në kampionat (fitorja e fundit daton më 16 mars kundër Leicesterit).
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Rúben Amorim, trajneri i “Djajve të Kuq” bëri një përditësim mbi gjendjen e Diogo Dalot, në funksion të finales së “Europa League” kundër Tottenhamit: “Nuk dua të rrezikoj Dalot. Kur pëson një dëmtim (në pulpë) dhe pastaj një tjetër, bëhet serioze. Ai po punon shumë për të qenë gati për finalen”.
Sa i përket gjendjes shpirtërore në klub, Amorim tha: “Një finale është diçka ndryshe. Ky sezon ka qenë vërtet i vështirë për të gjithë, për shkak të rezultateve dhe ndryshimeve në staf. Kemi punuar gjatë gjithë sezonit, kemi ndryshuar stilin e lojës, kemi pësuar shumë humbje në Premier League. Tani atmosfera është ndryshe, por kur përgatitemi për një ndeshje të ‘Europa League’, ndjejmë emocion. E gjithë atmosfera ndryshon, ndihet adrenalina”.
Në lidhje me gjestin e tij për të paguar vetë udhëtimin e 30 anëtarëve të stafit teknik për finalen, Amorim u shpreh: “Reagimi im ishte ta ndihmoja stafin. Më pas fola me lojtarët, edhe ata patën të njëjtën reagim. Të gjithë duan që stafi të jetë i pranishëm, bashkë me familjet e tyre”.
Trajneri portugez foli edhe për vështirësitë financiare të klubit dhe shkurtimet në staf: “E dini që ka shumë gjëra që po ndodhin, njerëz që largohen, ndryshime të shumta në staf. Për momentin, për klubin është e vështirë të kuptojë kur është momenti për të dhënë dhe kur për të marrë. Është një situatë shumë e ndërlikuar”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd