Transmetuar më 15-05-2025, 10:42

Tiranë- Partia Demokratike ka arritur të marrë vetëm në 6 qarqe dhe vetëm nga një kandidat nga listat e hapura mandate për në Kuvend nga zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Qarqet e vetme ku demokratët kanë shkuar përtej listës së mbyllur janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça, Lezha dhe Kukësi, pa përjashtuar ndonjë surprizë që mund të vijë nga votat e diasporës.

Në Tiranë duket se mandatin e vetëm nga lista e hapur do e marrë Jorida Tabaku, e cila aktualisht ka një diferencë prej 1 mijë votash nga Ilir Alimehmeti, edhe pse nuk janë numëruar të gjitha kutitë.

Në Durrës, kandidati më i votuar nga lista e hapur rezulton ish-prokurori Arian Ndoja me 8125 vota personale, i cili do të marrë mandatin. Ai ndiqet në qarkun bregdetar nga Aulon Kalaja me 7057 vota dhe Andia Ulliri me 5174 vota.

Në Shkodër, kandidati më i votuar nga lista e hapur që do të bëhet deputet është Bardh Spahia, i cili ka arritur të marrë 9414 vota persona, teksa ndiqej nga Ted Kopliku me 6148 vota.

Në Korçë, kandidati më i votuar nga lista e hapur rezulton Fidel Kreka me 6523 vota personale, i cili pritet të futet në Kuvend, teksa ai ndiqet nga Kristiano Koçibelli me 5213 vota.

Në Lezhë, kandidati më i votuar nga lista e hapur dhe që do të marrë mandatin e deputetit rezulton Gjin Gjoni me 8873 vota personale, teksa pas tij si më i votuari nga demokratët në këtë qark është Kastriot Piroli me 5632 vota.

Në Kukës, kandidati më i votuar nga lista e hapur rezulton Shkëlqim Shehu me 7493 vota persona, i cili nëse nuk ka supriza nga votat e diasporës, pritet të marrë mandatin e deputetit.

Kjo për shkak se ai ka një deferencë të ngushtë me Isuf Çelajn, i cili ka marrë 7060 vota personale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit