

Karriera e Carlo Ancelottit në krye të Real Madridit është drejt përfundimit. Pas dy javëve të fundit të kampionatit në La Liga, trajneri 65-vjeçar italian do t’iu thotë lamtumirë “Los Blancos”, presidentit Florentino Perez dhe lojtarëve, për t’u nisur drejt Brazilit. Atje do të nisë zyrtarisht detyrën si trajner i pesë herë kampionëve të botës.
Lajmi ka prekur edhe shumë kolegë të tij në kampionatin spanjoll, për shkak të sukseseve të shumta të “Carlettos”, veçanërisht me Real Madridin, por edhe për sportivitetin dhe profesionalizmin që ka treguar gjithmonë. Ndër ta edhe Diego Simeone, trajneri i Atletico Madridit, i cili foli në konferencë për shtyp:
“Nuk dua të shpreh një mendim për largimin e tij, kjo është një çështje mes Ancelottit dhe klubit përkatës. Si trajner, besoj si të gjithë kolegët e tjerë që sot janë në La Liga, kemi admirim për punën e tij.
Jo vetëm për atë që ka përfaqësuar te Real Madridi, për mënyrën si e ka menaxhuar skuadrën dhe gjithçka ka bërë, por për tërë karrierën e tij sportive. Jam një admirues i tij, ai e di këtë. Ia kam thënë vetë. E dua shumë dhe i uroj më të mirën”.
Ancelotti, një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit, do të nisë kështu një epokë të re me Brazilin, ndërsa La Liga do të humbasë një figurë ikonike që ka lënë gjurmë të thella në historinë e saj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






