

Milani dështoi ta rrëmbente Kupën e Italisë, pasi u mposht nga Bologna në një finale të tensionuar dhe me pak ritëm. Pas ndeshjes, trajneri Sergio Conceição doli para mediave për të komentuar zhgënjimin e radhës në sezonin e vështirë të kuqezinjve: “Jemi të zhgënjyer sepse nuk fituam një trofe.
Ishte një ndeshje e balancuar, në pjesën e parë patëm dy raste të pastra për të shënuar dhe nuk i konkretizuam. Bologna rrezikoi vetëm nëpërmjet goditjeve standarde. Në pjesën e dytë, pas golit të tyre, u luajt shumë pak futboll, por këto janë situata tipike të një finaleje.
Nuk dua të ul vlerat e kundërshtarit, por disa vendime arbitrare mund të diskutohen… Edhe pse nuk dua të flas për arbitrin, përndryshe do thonë se kërkoj justifikime. Edhe arbitri është njeri dhe mund të gabojë”.
Në lidhje me të ardhmen, Conceição u tregua i përmbajtur, duke theksuar se fokusi i tij është ende tek ajo që ndodhi në fushë: “Tani mendoj për ndeshjen, për zgjedhjet e mia dhe për atë që mund të kishim bërë ndryshe. Kupa është humbur dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ecim përpara me dinjitet. Pastaj do të flasim për të ardhmen”.
Ndërkohë, i pyetur për përgjegjësinë e lojtarëve, Conceição nuk deshi të veçonte askënd: “Nuk ka kuptim të kërkojmë fajtorë. Unë jam trajneri dhe marr përgjegjësinë. Kam ardhur me qëllimin të jap më të mirën, do të vazhdoj ta bëj këtë deri në fund”.
I emëruar vetëm pak muaj më parë, Conceição e mbyll me vetëdije për vështirësinë e detyrës: “Jam këtu prej 4-5 muajsh, në një rrugëtim të vështirë dhe brenda një klubi historik me shumë presion. E dimë që gjithmonë gjykohemi nga rezultatet”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






