

Kryeminsitri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, tre ditë pas zgjedhjeve, në një fjalim në sheshin “Skënderbej”.
Rama mbërriti aty i shoqëruar nga familja, bashkëshortja Linda Rama dhe fëmijët, Zaho, Gregori dhe Rea.
Kreu i Partisë Socialiste, që arriti të sigurojë 83 mandate, falënderoi shqiptarët që e votuan, si brenda dhe jashtë vendit, dhe që siç tha ai “zgjodhën yjet, dhe jo errësirën e gropës”.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ja ku u kthyem prapë këtu, nga dita kur u nisëm për të mbledhur çfarë mblodhëm me shumë punë e mund për katër vite me radhë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan, shikuan dhe në 11 maj vendosën të na e besojnë ne Partisë Socialiste, mandatin e katërt. Dhe na besuan më shumë se asnjëherë më parë, përgjegjësinë më të madhe se asnjëherë më parë.
Ne mbollëm më shumë besim te Shqipëria, prandaj mblodhëm më shumë besim nga shqiptarët. Mblodhëm votat e një mbështetjeje referendare për një Shqipëri që do ta anëtarësojmë në Bashkimin Ervopian. Shqiptarët zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë e më të mirë, dhe një Shqipërie të përgojuar. Mes dritës dhe yjeve të Europës dhe errësirës së gropës, Shqipëria zgjodhi yjet. Faleminderit Shqipëri. Një falënderim i veçantë për shqiptarët e Greqisë, Italisë, e kudo qofshin. Shumë faleminderit ga zemra, një përqafim të gjithëve nga sheshi i Gjergj Kastriotit. Edhe pse numërimi vazhdon, është e qartë që shumica jashtë Shqipërisë, mendon njësoj si shumica brenda Shqipërisë, për Shqipërinë 2030. Kjo do të thotë shumë për mua, shumë për të gjithë.
S’di sesi ti falënderoj të gjithë sa dhe si duhet. Faleminderit, faleminderit, faleminderit.
Rama: Do e bëjmë këtë mandat domethënës edhe historikisht. Duke mbyllur negociatat në 2027 dhe duke vendosur karrigen e Shqipërisë në tryezën e madhe europiane në 2030. Me Europën për Shqipërinë dhe Shqipërinë për Europën. Ky është një mandat për tu bërë një më fatin europian që profeti ynë kombëtar, Skënderbeu na e përcaktoi si fatin tonë të patjetërsueshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






