

Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ka ndodhur sot, rreth orës 13:00, në kilometrin e 7-të të Autostradës “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren – Morinë.
Siç raporton gazeta Sinjali, në aksident janë përfshirë një veturë "VW Tiguan" me targa të Shqipërisë, e cila drejtohej nga Ylli Tali, rreth 46-vjeçar dhe një kamion i tipit "Mercedes"me targa po ashtu të Shqipërisë, që drejtohej nga Kristal Korbi, rreth 36-vjeçar, nga Shqipëria.
Si pasojë e përplasjes, Xhensila Xixa, rreth 32-vjeçare, pasagjere në veturën "Tiguan", me banim në Fushë-Krujë, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Mjeku kujdestar që ka dalë në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e saj.
Ndërkohë, shoferi i veturës Ylli Tali dhe pasagjerja tjetër, Lavdi Xixa, rreth 36-vjeçar, janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku janë duke u trajtuar në emergjencë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd