Transmetuar më 14-05-2025, 10:48

Carlo Ancelotti është gati për të nisur një kapitull të ri në jetën e tij profesionale, por pa e harruar kurrë dashurinë e thellë për Real Madridin. Në konferencën për shtyp të mbajtur në prag të ndeshjes me Mallorca, tekniku italian ka folur për herë të parë publikisht, pas zyrtarizimit të tij si trajner i ardhshëm i 5 herë kampionëve të botës. Një fund i pritshëm, por emocional, për një histori të suksesshme që mbyllet me ndarje të qetë, të respektuar dhe të ndërsjellë.

“Ndjesia ime është që më 26 maj do të jem trajneri i Brazilit. Është një sfidë e madhe, por jam ende trajner i Real Madridit. Dua ta përfundoj sa më mirë këtë aventurë fantastike”, – tha Ancelotti me ton serioz, duke nënvizuar se për të, respekti ndaj klubit mbetet i padiskutueshëm deri në ditën e fundit të detyrës.

Deklarata e Federatës Braziliane për emërimin e tij erdhi pa një reagim zyrtar nga Real Madridi, por trajneri italian nuk shqetësohet nga kjo: “Reali do ta publikojë komunikatën kur të dojë, nuk ka asnjë problem. E di që do ta bëjë kur ta shohë të arsyeshme. Nuk kam asgjë për të shtuar”.

Italiani largohet një vit përpara përfundimit të kontratës në fuqi, që ishte e vlefshme deri në vitin 2026. Për të, kjo nuk është dramë, përkundrazi, kapitull i përmbyllur me dinjitet: “Futbolli, si jeta, është një aventurë që nis dhe mbaron. Gjithmonë kam menduar se një ditë gjithçka do të përfundonte. Kam kaluar një periudhë shumë të bukur këtu dhe jam argëtuar plotësisht. Si çdo gjë në jetë, edhe kjo duhet të mbyllet. Nëse jeta mbaron, imagjino një aventurë në futboll…”

Në bilancin e 4 viteve të fundit, Ancelotti nuk mund të ishte më i kënaqur: “Nuk ka asnjë zhgënjim. Nëse ditën që erdha dikush më thoshte se do të fitoja 11 tituj në 4 vite, do ta firmosja me gjak. Ky sezon nuk shkoi siç donim, por ka pasur shumë arsye për këtë. Gjithsesi, ka qenë një periudhë e paharrueshme”.

Në një moment, i lodhur nga insistimi i gazetarëve për të zbërthyer më shumë detaje rreth vendimit, trajneri italian nuk i fshehu emocionet: “Po, jam shumë i lumtur. Do të isha edhe më shumë nëse nuk do të ishte kjo konferencë. Më duhet të shpjegoj gjëra që nuk dua t’i shpjegoj, sepse jam trajner i Real Madridit deri më 25 maj. Dua ta respektoj këtë fanellë deri në ditën e fundit. Doja të fitoja La Liga-n dhe Champions-in, por jam shumë i lumtur”.

Për arsyet e ndarjes, nuk ka vend për dramatizim: “Nuk kam menduar kurrë se Real Madridi nuk më donte. Ky klub më ka dashur gjithmonë. Edhe kur të shkoj në Brazil më 25 maj, do ta ndjej dashurinë e madrilenëve. Ndoshta klubi ka nevojë për energji të reja, nuk e bëj dramë. Një mijë herë faleminderit këtij klubi, do të vazhdojmë përpara. Do të jem tifoz i Real Madridit për gjithë jetën”.

Ancelotti e përmbylli fjalimin e tij me mirënjohje dhe krenari për rrugëtimin e përbashkët: “Është një periudhë që po përfundon, spektakolare. Nuk do ta kisha besuar kurrë se do ta drejtoja Real Madridin për 6 vite, por ndodhi. Ishte një vendim i përbashkët”.

Ky nuk është thjesht fundi i një kontrate, por mbyllja e një epoke që Real Madridi dhe tifozët e tij do ta kujtojnë për shumë vite. Ndërsa Brazili përgatitet të mirëpresë një nga mendjet më të ndritura të pankinave europiane, në Madrid, një faqe e artë është gati të kthehet…

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit