Transmetuar më 14-05-2025, 10:25

Duket si një “déjà-vu” magjike. E njëjta fanellë, i njëjti numër, 7, dhe mbi të gjitha i njëjti mbiemër që ngjall emocione te çdo tifoz i futbollit. Cristiano Ronaldo Jr, djali i yllit portugez, bëri debutimin e tij me përfaqësuesen U-15 të Portugalisë, duke nisur rrugëtimin ndërkombëtar pikërisht aty ku gjithçka startoi edhe për babanë e tij 24 vite më parë.

14-vjeçari, lindur në vitin 2010 dhe aktualisht pjesë e akademisë së Al-Nassr, u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Japonisë, në kuadër të turneut “Vlatko Markovic” që po zhvillohet në Kroaci. Ai hyri në fushë në minutën e 53-të. Edhe pse nuk u përfshi në ndonjë nga golat e skuadrës portugeze, la pas emocione të forta për familjen dhe të gjithë ata që kanë ndjekur nga afër rritjen e tij.

Me një postim të ndjerë në rrjetet sociale, Cristiano Ronaldo nuk fshehu emocionet dhe krenarinë për debutimin e të birit me fanellën e Portugalisë: “Urime për debutimin me Portugalinë, bir! Jam shumë krenar për ty”.

Pas eksperiencave në akademitë e Manchester United dhe Juventusit, Cristiano Jr, i njohur zyrtarisht si Cristiano dos Santos, ka ndjekur hap pas hapi rrugën e babait të tij, duke e përjetuar për herë të parë ndjesinë e përfaqësimit të vendit të origjinës.

Nga Portugalia tashmë nis të flitet, me një buzëqeshje ëndërrimtare, për një skenar të veçantë: një ditë, baba e bir në të njëjtin formacion të kombëtares. Duke njohur vendosmërinë e CR7, kjo mund të mos mbetet vetëm fantazi…

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit