

Në një intervistë për ESPN, zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ka riafirmuar besimin e plotë ndaj trajnerit Simone Inzaghi, duke theksuar rëndësinë e durimit dhe mbështetjes në ndërtimin e një projekti fitues: “Duhet të besosh te projekti i trajnerit dhe ta shoqërosh në rrugëtimin e tij. Kur gjithçka shkon mirë, është e lehtë.
Sidoqoftë, për t’i transmetuar idetë e duhura, nevojitet kohë. Në momentet e vështira duhet të gjesh zgjidhje dhe të ecësh përpara. Duhet të besosh te personi që ke zgjedhur dhe ta mbështesësh. Rezultatet edhe mund të të mashtrojnë, por ne si drejtues duhet të bëjmë analizë më të thelluar. Unë gjithmonë theksoj rrugën që kemi ndjekur për të arritur te trofetë. Nëse këmbëngul dhe beson te projekti, mundësia do të vijë”.
Për gjysmëfinalen ndaj Barcelonës: “Futbolli të fal emocione të mëdha dhe kjo skuadër beson gjithmonë deri në fund. Jemi skuadër që gëzon respekt të madh falë vazhdimësisë që kemi ndërtuar këto vite, sidomos pas finales së humbur kundër Manchester City, ku kishim luajtur shumë mirë.
Prej katër vitesh që punojmë me Inzaghin, Interi është gjithmonë protagonist dhe i respektuar. Për ne, objektivi ishte të arrinim në finale. PSG? Është një skuadër shumë e mirë. E admiroj Luis Enrique, sepse i ka dhënë një identitet të qartë skuadrës pariziene. Madje kjo është arsyeja pse janë aty ku janë”.
Për Lamine Yamal: “E pashë në ndeshjen e parë dhe ka një fytyrë fëmije. Luante aq mirë, ka një të ardhme të ndritur. Ndonjëherë është i papërmbajtshëm, sepse nuk e di nga do të vijë. Në situatat një kundër një është pothuajse e sigurt që do të të kalojë, sepse ka teknikë dhe shpejtësi të jashtëzakonshme. Më kujton versionin e hershëm të Messit, kur nuk e dije ku do të ndalej”.
Një anekdotë për Lautaro Martinez: “Lauti kaloi një javë të tmerrshme, nuk e dinte nëse do të mund të luante ndaj Barcelonës. Qau kur përfundoi ndeshja. Tregoi një zemër të madhe, donte të ishte aty, dhe ia doli. Bëri një punë të shkëlqyer. Është kapiteni ynë dhe angazhimi që tregoi ishte për t’u admiruar. Transmetoi gjithçka kishte”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






