Transmetuar më 14-05-2025, 08:43

Është vigjilja e një ndeshjeje vendimtare për Milanin. Finalja e Kupës së Italisë kundër Bologna përfaqëson objektiv thelbësor për të shpëtuar një sezon me shumë ulje dhe pak ngritje, për të shtuar një trofe të dytë në “palmaresin’ kuqezi, pas Superkupës, dhe siguruar të paktën një vend në “Europa League” sezonin e ardhshëm.

Sergio Conceição do të ketë sërish në dispozicion Leao, pas pezullimit në kampionat, por ende nuk është e sigurt nëse do të ketë Fofana. Në sulm, dyshimi është mes Gimenez dhe Jovic, me serbin disi më të favorizuar, pavarësisht dygolëshit të meksikanit të premten. Në konferencën për shtyp, trajneri portugez bëri prognozën e përballjes vendimtare të sotme ndaj Bologna.

Mbi rëndësinë dhe magjinë e finales: “Ky lloj presioni është pjesë e historisë sonë, e ndiejmë çdo ditë dhe është diçka normale për një klub të madh. Duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja, çfarë duhet të bëjmë dhe si do ta përballojmë kundërshtarin. Do të jetë ndryshe nga ndeshja e fundit e kampionatit”.

Mbi momentin e skuadrës: “Sigurisht që rezultatet janë pozitive, skuadra ka evoluar si individualisht, ashtu edhe në aspektin kolektiv. Tre muajt e parë të mitë në këtë stol kanë qenë të vështirë, ne si trajnerë jetojmë me rezultate. Po të marrim rezultat pozitiv në këtë finale, do të jetë shumë e rëndësishme”.

Mbi rikthimin në “Olimpico” dhe ndryshimet krahasuar me ndeshjen e kampionatit: “Është një stadium që më ka dhënë kënaqësi të mëdha si futbollist, por ato ishin kohë të tjera. Sot duhet të japim maksimumin kundër një skuadre shumë intensive. Edhe ne duhet të kemi të njëjtin qëndrim, duke pasur parasysh se çdo ndeshje është ndryshe. Duhet të jemi gati për çdo skenar, e dimë që do të përballemi me një Bologna ndryshe nga ajo e së premtes, edhe në aspektin e formacionit. E kemi përgatitur mirë ndeshjen, shpresoj të kem përgjigje pozitive nga skuadra”.

Mbi zgjedhjen e sulmuesit: “Nuk them kush do të luajë, as ata vetë nuk e dinë ende. Të gjithë kanë punuar mirë, edhe ata kanë dyshimet e tyre”.

Mbi rëndësinë e trofeut: “Sezonet përbëhen nga episode, pa dyshim që do të ishte kënaqësi ta fitonim këtë trofe për tifozët tanë në një vit të vështirë. Kjo është në mendjen tonë. Ka kënaqësi të madhe për ta luajtur këtë finale, nuk ka frikë, vetëm adrenalinë normale. Grupi është i qetë, në pritje të një ndeshjeje të rëndësishme”.

Mbi Leao: “Është mirë, në dispozicion. Edhe ata do të rikuperojnë lojtarë si Ndoye, Odgaard dhe Ferguson. Sidoqoftë, më e rëndësishmja është gjithmonë skuadra si tërësi”.

Mbi ndryshimin pozitiv në javët e fundit: “Të gjithë ne besojmë në atë që bëjmë, rezultatet pozitive gjithmonë ndihmojnë, por unë gjithmonë kam qenë i vetëdijshëm se kam një grup të fortë dhe të shëndetshëm. Jo vetëm me fjalë, por edhe me fakte. Mjafton të shohësh sa ndeshje kemi përmbysur me lojtarë që kanë hyrë nga stoli. Kjo është shenjë bashkimi dhe respekti të madh. Jam shumë i qetë, shpresoj që të gjithë këtë ta tregojmë edhe sot në fushë”.

Mbi eliminimin e Interit dhe sukseset në derbi: “Kemi bërë mirë edhe në çerekfinale kundër Romës. Sigurisht që nuk kemi qenë konstantë, siç do të donim edhe tifozët. Me të drejtë, të gjithë duan rezultate pozitive, sepse në këtë klub janë mësuar kështu”.

Mbi kupat e fituara në Portugali: “Kjo finale nuk ka shumë lidhje me eksperiencat e kaluara, rëndësi ka vetëm ndeshja e sotme”.

Mbi gjendjen e tij shpirtërore: “Janë 13 vite që e bëj këtë punë, çdo ndeshje ka presionin dhe ngarkesën e saj, që sigurisht shtohet kur luhet për trofe. Nuk dua të shfaqem më i qetë për mediat, jam ai që jam. Sigurisht që nuk kam frikë, por vetëm dëshirë dhe përqendrim”.

Mbi Fofana: “Nuk e dimë ende nëse do të jetë, ka një problem në këmbë. Po e them seriozisht, nuk është ‘driblim’. Do ta shohim në fund, edhe pse është stërvitur në seancën e fundit. Është një problem i veçantë, shpresoj të jetë i gatshëm”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit