Transmetuar më 13-05-2025, 21:03

KOSOVË- Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes kanë nënshkruar Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA) një dokument kyç që mundëson shkëmbim të sigurt të informacionit dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes dy forcave.

Marrëveshja u firmos në Prishtinë nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Gjeneral Major John Phillips, Drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në Komandën Evropiane të SHBA-së (EUCOM).

Ambasada amerikane në Prishtinë e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

“Kosova bëhet partneri i 33-të global që nënshkruan CISMOA-n, duke rritur sigurinë e komunikimeve dhe ndërveprueshmërinë. Një hap i madh përpara në forcimin dhe sigurinë e të dyja kombeve tona”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës tha se marrëveshja është me rëndësi të veçantë, sepse mundëson përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes dhe shkëmbimin e të dhënave të sigurta e kriptografike. Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo marrëveshje është një vazhdimësi e angazhimeve për siguri të përbashkët.

“E përgëzoj Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për këtë arritje të rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme”, shkroi Kurti.

Memorandumi i Marrëveshjes për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA) është një marrëveshje që SHBA-ja lidh me partnerët ndërkombëtarë për të mundësuar shkëmbimin e sigurt të informacioneve të ndjeshme ushtarake dhe përdorimin e pajisjeve të avancuara të komunikimit.

Kjo marrëveshje është themelore për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave ushtarake të vendeve partnere dhe SHBA-së dhe konsiderohet një gur themeli për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Me nënshkrimin e CISMOA-s, Kosova bashkohet me një rrjet global prej 33 partnerësh që ndajnë standarde të përbashkëta për sigurinë dhe komunikimin./REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit