

Romelu Lukaku është kthyer në një pikë referimi për Napolin, jo vetëm për golat, por edhe personalitetin e tij brenda dhe jashtë fushës. Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, sulmuesi belg rrëfen përvojën në qytetin e Napolit, lidhjen e tij të veçantë me trajnerin Antonio Conte dhe synimet për të ardhmen.
“Napoli është një qytet i mrekullueshëm, – thotë Lukaku me bindje. Ai shpjegon se përpara se të mbërrinte aty, kishte marrë këshilla të vyera nga Dries Mertens, që e ndihmuan të përgatitej mendërisht për jetën në jug të Italisë. – Dries Mertens më përgatiti shumë mirë për Napolin. Flasim shpesh, ai është nga ata lojtarë të rëndësishëm edhe jashtë fushe. Kur erdha këtu, tashmë e dija çfarë më priste”.
Edhe pse nuk është një person shumë i dhënë pas daljeve në publik, Lukaku e ndjen ngrohtësinë e përditshme të qytetit. “Nuk jam nga ata që del shumë, por ndjej gjithmonë ngrohtësinë e këtij qyteti. Tifozët dhe njerëzit na japin një shtytje të pabesueshme. E vlerësoj shumë mbështetjen e tyre. Në shtëpi, jashtë fushe, në rrugë, gjithmonë marrim dashuri. Është një qytet i mrekullueshëm për të jetuar”.
Marrëdhënia me Antonio Conten është një nga pikat më interesante të intervistës. Ata janë bashkuar sërish në Napoli, pas eksperiencës tek Interi. Vetë sulmuesi belg e përshkruan këtë lidhje si mjaft të fortë: “Unë dhe Conte jemi shumë të sinqertë me njëri-tjetrin. Ai ka ide dhe plane që unë tashmë i njoh. Nuk ka nevojë të më shpjegojë gjithçka, e kuptoj menjëherë çfarë kërkon.
Conte më shtyn të kap majat mendërisht dhe fizikisht, jam gjithmonë i gatshëm për punën e tij. Ne përmirësojmë njëri-tjetrin. Është trajner fitues, një ndër më të mirët. E kuptojmë njëri-tjetrin menjëherë, si njerëz dhe si profesionistë.
Ai e di që mund të më kërkojë shumë, sepse në fund arrijmë rezultate. Gjithçka ka të bëjë me fitoren. Kur nuk fitojmë, nuk ndihemi mirë. Dallimet tona na plotësojnë, kemi një balancë perfekte”.
Lukaku shkon edhe më tej, duke e krahasuar bashkëpunimin e tyre me një dyshe ikonike nga NBA: “Çdo lojtar ka një trajner që i ndryshon karrierën: Cristiano kishte Fergusonin, Messi kishte Guardiolën, Drogba kishte Mourinhon. Dua të besoj se unë dhe Conte jemi si Phil Jackson dhe Shaquille O’Neal”.
Napoli e nisi sezonin me luhatje dhe ndryshime taktike, por Lukaku thekson se skuadra ka arritur të tregojë maturi në përballje të vështira: “Po punojmë çdo ditë me maksimumin tonë për ta fituar kampionatin. Tani gjithçka varet nga detajet. Jemi të fortë fizikisht dhe teknikisht, kemi mentalitetin e duhur si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje.
Nuk ka qenë e lehtë, sepse e filluam me një mënyrë loje, pastaj e ndërruam, më vonë e ndryshuam sërish. Pikërisht këtu tregohet maturia e skuadrës, kur arrin të asimilojë situatat dhe ndryshimet gjatë ndeshjes. Tani duhet të jemi të gatshëm për sakrificë, punë dhe forcë mendore”.
Romelu Lukaku ka arritur një shifër të rrallë në karrierë, mbi 400 gola të shënuar, por motivimi nuk i mungon. Ai nuk i ndjek më verbërisht statistikat, por e shijon çdo moment: “Tani dua vetëm të shijoj çdo gol që shënoj dhe të shoh ku do të më çojnë ato. Me kalimin e kohës fiton përvojë dhe e njeh më mirë rrjedhën e një ndeshjeje, gjithçka bëhet më e thjeshtë, më argëtuese”.
“BigRom” e mbyll intervistën me një dëshirë të qartë: “Nëse golat që do të shënoj në pjesën tjetër të karrierës do të më sjellin trofe, do të jem shumë i lumtur, sepse gjithçka rrotullohet rreth fitores. Nuk kam ndonjë ëndërr specifike, dua vetëm të jem mirë fizikisht, sepse kjo është më e rëndësishmja. Dua të luaj sa më gjatë në nivele të larta dhe të shijoj ende shumë ndeshje nga ky sport i mrekullueshëm, që më ka ndryshuar jetën mua dhe familjes sime”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






