Transmetuar më 13-05-2025, 10:43

Carlo Ancelotti është trajneri i ri i kombëtares së Brazilit. Trajneri aktual i Real Madridit do të marrë zyrtarisht drejtimin e Seleçaos në përfundim të sezonit 2024-2025 të La Liga-s spanjolle, me një kontratë që do të zgjasë të paktën 14 muaj, pra deri në fund të Kupës së Botës 2026. Marrëdhënia mes Ancelottit dhe Real Madridit do të përfundojë një vit përpara afatit të parashikuar, i cili ishte caktuar për më 30 qershor 2026.

Ai do ta marrë detyrën e re më 26 maj, pas ndeshjes së fundit të kampionatit kundër Real Sociedad, që është planifikuar një ditë më parë, dhe do të debutojë më 5 qershor në Guayaquil në një sfidë të vështirë kundër Ekuadorit për kualifikueset e Botërorit 2026. Ndeshjen e dytë do ta ketë më 10 qershor në Sao Paulo, në stadiumin e Corinthians, kundër Paraguajit.

Brazili aktualisht renditet i katërti, 10 pikë prapa Argjentinës dhe 2 pikë pas Ekuadorit, por ka 6 pikë më shumë se vendi i shtatë, që të çon në “play off”. Në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, kualifikohen direkt gjashtë ekipe nga Amerika e Jugut, ndërsa skuadra e shtatë do të luajë një ndeshje shtesë ndërkontinentale për një vend.

Siç është parashikuar në planin fillestar, Ancelotti do të mbërrijë në Rio de Janeiro më 26 maj dhe menjëherë më pas do të shpallë listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese. Tre prej tyre, nëse jo menjëherë për këto dy ndeshje, për ato pasuese, do të jenë pikërisht lojtarë që i ka stërvitur deri tani te Real Madridi.

Bëhet fjalë për sulmuesit Vinicius Junior, Rodrygo dhe Endrick. Pa përmendur edhe një tjetër brazilian që ndodhet në skuadër, mbrojtësin Éder Militão, i cili aktualisht është i dëmtuar. Nëse shtojmë këtu edhe Casemiro, ish-mesfushor i "Los Blancos", tashmë pjesë e Manchester United, "lobi madrilen" te 5 herë kampionët e botës bëhet i konsiderueshëm.

Kushtet e kontratës – Sipas asaj që raporton “O Globo”, marrëveshja përfshin: pagë mujore prej rreth 10 milionë eurosh dhe një bonus prej 5 milionë eurosh në rast se Brazili fiton Kupën e Botës 2026. Përveç kësaj, marrëveshja përfshin edhe disa privilegje të tjera si përdorimi i një avioni privat për të udhëtuar disa herë në Europë dhe pagesa e qirasë së apartamentit ku do të banojë në Rio de Janeiro. Po ashtu, është parashikuar edhe organizimi i një miqësoreje mes Brazilit dhe Real Madridit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit