Transmetuar më 13-05-2025, 10:34

Lushnjë, 13 maj 2025 – Një 37-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi u vetëplagos aksidentalisht me armë zjarri në një automjet, ndërsa tentoi të mashtronte autoritetet duke deklaruar në spital se ishte dëmtuar me thikë.

Policia bëri me dije se personi i arrestuar është Arens Monka, i cili u paraqit në spitalin e Lushnjës me një plagë në këmbë. Pas hetimeve të para, rezulton se Monka ishte vetëplagosur në rrethana aksidentale me një armë që e mbante pa leje.

Për të shmangur përgjegjësinë penale, ai pretendoi në spital se ishte dëmtuar nga një mjet prerës. Megjithatë, hetimet zbuluan të vërtetën dhe si rezultat, përveç Arens Monkës, policia arrestoi edhe vëllanë e tij, Igli Monka, dhe mikun e tyre, Florjon Veliu.

Sipas njoftimit zyrtar, dy personat e fundit dyshohet se ndihmuan në fshehjen e automjetit ku ndodhi vetëplagosja dhe mbështetën deklaratën e rreme të 37-vjeçarit.

Gjatë kontrollit në mjetin e fshehur, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan dy fishekë dhe një predhë arme zjarri.

Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Arens Monka ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit