

Të dëgjuarit e fjalëve të Zvonimir Boban bën që gjaku t’u vlojë tifozëve të Milanit. Ish-lojtari e thotë gjithçka hapur, pa filtra, duke sulmuar drejtuesit aktualë të klubit (dhe nuk është hera e parë që ai flet për paaftësinë e tyre), duke i krahasuar me Interin që është përpara në shumë aspekte. Njëherazi ka zbuluar prapaskena të bujshme nga merkatoja (si ‘po’-të e Dani Olmo dhe Szoboszlai, që u anuluan, sepse u sabotuan) dhe ka reaguar fort ndaj trajtimit që i është bërë Paolo Maldinit.
Së pari, ai thekson dhimbshëm diferencën me Interin: "Kur shohim rezultatet, është e qartë. Kur shohim shoqëritë, sërish diferenca është e qartë. Kur shohim gjithësinë e asaj që përfaqëson sot Interi dhe Milani, është e qartë. Është e lehtë për t’u kuptuar, më vjen shumë keq. Teknikisht nuk mendoj se jemi kaq larg, por në mënyrën se si ndërtohet një skuadër që funksionon, po, jemi larg".
Ai shpjegon më konkretisht këtë diferencë dhe thekson problemin kryesor që pengon Milanin: "Interi ka identitet, e di gjithmonë çfarë duhet të bëjë. Ne jo…, përkundrazi, kemi pasur 100 identitete këtë sezon dhe asnjë nuk ka qenë i duhuri. Nuk mund të krijosh një identitet me këto lojtarë, për mënyrën se si janë marrë dhe si përdoren. Shumë prej nesh e kuptuan këtë që nga vera e kaluar".
Sipas Boban, edhe Paolo Maldini e kishte kuptuar situatën dhe kishte tentuar të bënte kompromis, por ishte përballur me një drejtim që kishte plane dhe vizione të papajtueshme me të:
"E kuptova menjëherë që diçka nuk shkonte. Duhej të luftonim kundër pronarëve tanë për të mirën e Milanit. Paolo më inkurajoi dhe kështu filloi lufta. Në gusht më hoqën të drejtën e firmës, vendosnin kufizime absurde. Unë firmosa për 3 vite, edhe pse doja 5 të tilla: viti i parë për pastrim, i dyti për stabilitet, i treti për konkurrencë. Duhet kohë në futboll për sukses. Pas 3 muajsh na delegjitimuan pothuajse me një prapaskenë. Drejtuesit e sotëm të Milanit nuk janë njerëz futbolli, nuk kuptojnë".
Pas largimit të Bobanit, sipas tij, duhej "hequr qafe" edhe kapiteni legjendar, Paolo Maldini: "Shkarkimi i tij është një faqe e turpshme, e bërë në mënyrë të padenjë. Sjellje e pandershme e pronësisë, e papranueshme ndaj tij, mund të thoja edhe mijëra gjëra të tjera të këqija. Për ta, Paolo ishte pengesa e fundit për të bërë çfarë donin".
Legjenda kroate e futbollit përmend edhe çështjen Tonali: "Paolo nuk do ta linte kurrë të largohej, Sandro është milanist. Kur e kontaktuam për herë të parë, na tha që nuk do të shkonte kurrë te Juventusi apo Interi. Paolo dhe Ricky (Massara) e blenë për çmim shumë të mirë për një lojtar të tillë. Të largosh një simbol si ai, pas fitimit të titullit kampion…"
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






