

Suksesi i Egnatias është i lidhur direkt me emrin dhe financat e tij. Pa fjalë të mëdha nëpër media, por me punë shumë, Agim Demrozi ka krijuar një klub model futbolli, që funksionon më së miri.
Edhe pse përfaqëson një qytet të vogël si Rrogozhinën, me një tifozëri të limituar krahasuar me gjigantët e tjerë të futbollit shqiptar, ai ka ditur të ndërtojë skuadër fitimtare, të fitojë dy tituj kampioni radhazi.
Pas fitores 4-0 në finalen e “final four” ndaj Vllaznisë, numri një i klubit rrogozhinas u shpreh: “Egnatia sot mori atë që meritonte, sepse ishim tërë fazën e dytë të kampionatit në vendin e parë. Shpresoj të marrim sa më shumë trofe, por kam peng që nuk e fituam dot edhe Kupën e Shqipërisë. Egnatia ka qenë gjithmonë realitet për futbollin shqiptar, megjithëse mediat nuk e kanë promovuar shumë.
Derisa të jem unë këtu, Egnatia do të jetë në elitën e futbollit shqiptar. Çdo gjë ka ardhur falë punës që kemi bërë deri tani, por do të vazhdojmë edhe me të rinjtë. Rrogozhina është qytet i vogël dhe nuk ka shumë të rinj që merren me futboll, ndaj jemi detyruar të marrim futbollistë nga qytete të tjera të vendit tonë, por edhe nga jashtë Shqipërisë.
Vjet, nëse ju kujtohet, jemi eliminuar me penallti në Kupat e Europës. Kësaj here duam të bëjmë përfaqësim sa më dinjitoz dhe të kalojmë ture. Merkatoja? I kemi piketuar përforcimet e mundshme, por nuk do të marrim më shumë se 2-3 elementë, sepse e kemi të kompletuar ekipin”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






