

Tiranë, 12 maj 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, pasi janë numëruar mbi 70 për qind e kutive të votimit (3674 nga 5225), ora 21.13.
Sipas të dhënave të fundit, Partia Socialiste e Shqipërisë kryeson me një avantazh të ndjeshëm, duke siguruar 52.48 për qind të votave, e ndjekur nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore me 34.12 për qind.
Në vend të tretë renditet Partia Socialdemokrate (PSD) me 3.63%, e ndjekur nga Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 3.53% dhe Partia Mundësia me 2.87%. Subjektet e tjera politike kanë marrë më pak se 2 për qind të votave, ndër to: Lëvizja Bashkë (1.33%), Partia Koalicioni Euroatlantik (1.24%) dhe Koalicioni Djathtas për Zhvillim (0.39%).
Nga votat e numëruara deri tani, Rama ka siguruar 82 mandate kurse Berisha 30 më pak. Tom Doshi 3 mandate, Arlind Qorri, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, një mandat për secilën forcë politike që përfaqësojnë.
Pjesa tjetër e subjekteve politike ka performuar dobët, me rezultate nën 1 për qind, si Lëvizja Atdheu, Aleanca Kombëtare Shqiptare, Aleanca Demokracia e Re, etj.
Numërimi i votave vijon në qendrat e mbetura, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të përmbyllen brenda ditës së nesërme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






