

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku tha se procesi zgjedhor i 11 majit është i përshkuar nga shkelje të rënda që cënojnë standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Berisha tha se konkluzionet e PD-së për procesin nuk janë politike, por të bazuara dhe tashmë të certifikuara edhe nga forume ndërkombëtare.
“PD u ka thënë shqiptarëve dhe botës se çfarë është procesi elektoral në Shqipëri. Ato konkluzione nuk janë politike, por të bazuara dhe të certifikuara. Duhet të përfundojë numërimi i çdo vote dhe më pas PD do bëjë vlerësimin e saj të plotë,” – u shpreh ai.
Sipas tij, procesi është cenuar rëndë nga:
mbjellja masive e kanabisit për qëllime elektorale,
punësimi në masë i mijëra qytetarëve për votë,
ngritja e zyrave të paligjshme pranë qendrave të votimit,
falja e 150 milionë eurove gjoba për mbi 170 mijë qytetarë vetëm dy ditë para zgjedhjeve.
“Ka kritere për zgjedhjet. Ato janë shkelur në mënyrën më të pamëshirë,” – deklaroi Berisha, duke shtuar se rastet e ndërhyrjeve kriminale në proces janë publike dhe të dokumentuara.
Pavarësisht kritikave, ai i bëri thirrje strukturave të PD të jenë të pranishme dhe të përgjegjshme në numërim:
“Jam këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve dhe strukturave të PD: të numërojmë çdo votë. Të tregojmë përgjegjësi para atyre që kanë votuar,” – tha ai, duke shtuar se askush nuk mund të injorojë këto fakte të rënda që kanë shoqëruar procesin zgjedhor. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






