Transmetuar më 12-05-2025, 11:29

Epoka e Carlo Ancelottit te Real Madridi ka përfunduar. Me një fund të hidhur dhe pa mëshirë në “El Clasico” e fundit të sezonit, të humbur pas një përmbysjeje të pabesueshme nga Barcelona (nga 0-2 në 4-3). Goditje e rëndë për “Los Blancos”, që humbën tri pikë vendimtare, të cilat mund t’i japin titullin Barcelonës që në javën e ardhshme, në derbin ndaj Espanyolit.

Megjithatë, largimi i Ancelottit ishte vendosur prej kohësh. Marrëdhënia e tij me klubin ishte krisur që pas eliminimit në Kupën e Mbretit, sërish ndaj Barcelonës. Thashethemet për një ndryshim në stol u bënë gjithnjë e më të forta, derisa tashmë gjithçka është zyrtare. Sipas ekspertit të merkatos Fabrizio Romano, marrëveshja mes Xabi Alonsos dhe Real Madridit është mbyllur përfundimisht.

Trajneri bask do të largohet nga Bayer Leverkusen për të nënshkruar me “Los Blancos” kontratën që do të zgjasë deri në vitin 2028. Stafi është përzgjedhur dhe firma është hedhur. Bëhet fjalë për një marrëveshje 3-vjeçare, me Realin që planifikon debutimin e tij në Botërorin e Klubeve.

Vetë Xabi Alonso, ditën e djeshme, dha lamtumirën zyrtare në “BayArena”, mes përshëndetjeve për lojtarët dhe tifozët e Leverkusenit: “Përshëndetja me Jonathan Tah, me lojtarët e tjerë dhe ajo personale ishte më e rëndësishme për mua sot sesa rezultati. Ishte ndeshja e fundit në shtëpi dhe ta ndieja për herë të fundit këtë lidhje speciale me tifozët më bënte shumë krenar.

Ky klub do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Kam shumë emocione, jam krenar për çfarë kemi arritur dhe mirënjohës për gjithçka kemi ndërtuar. Do të marr gjithmonë me vete kujtime të bukura nga periudha ime te Bayer, këtu u rrita si trajner. Ekipi, stafi dhe çdo lojtar më dha besim, besuan tek unë dhe idetë e mia. Kjo ishte thelbësore për rrugëtimin tim këtu”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit