

Pas një tjetër humbjeje të dhimbshme ndaj Barcelonës, Carlo Ancelotti e pranoi se Real Madridin e ndëshkuan gabimet e veta. Disfata 4-3 në “Montjuïc” mund të ketë qenë “El Clasico” e fundit për teknikun italian në pankinën madrilene, në një sezon ku “Los Blancos” kanë humbur praktikisht të gjitha objektivat madhorë, përfshirë edhe titullin e La Liga-s, i cili duket se do të shkojë në Katalonjë.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Ancelotti nuk e fshehu zhgënjimin: “Sulmuam mirë, por gabimet na kushtuan shumë. Ishte një ndeshje e fortë, e luftuar deri në fund, por për fat të keq nuk përfunduam siç do të donim. Tani na mbeten edhe tri ndeshje, duhet ta përfundojmë sezonin sa më mirë të mundemi”.
Skuadra e tij kishte marrë epërsinë 2-0 falë një Mbappé në formë brilante, por gjithçka u përmbys shpejt: “Duhej të ishim më të kujdesshëm në mbrojtje. Ishim të dobët dhe Barcelona përfitoi nga kjo. Të mos harrojmë se na mungonin pesë mbrojtës titullarë: Mendy, Alaba, Rüdiger, Militão dhe Carvajal. Kjo ndikoi ndjeshëm në ekuilibrat e prapavijës sonë”.
Pavarësisht humbjes, një dritë shprese për Ancelottin ishte paraqitja e Kylian Mbappé, i cili realizoi tripletë dhe ishte kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtjen katalanase: “Kylian ishte shumë mirë sot. Shënuam tri herë, patëm edhe dy gola të anuluar për pozicion jashtë loje. Sulmi funksionoi mirë, patëm ide të qarta përballë një mbrojtjeje të lartë. Mund të kishim barazuar 4-4 me rastet që krijuam. Nuk kam asgjë për t’u qortuar lojtarëve, dhanë gjithçka deri në fund”.
Një tjetër temë që u diskutua ishte mungesa e Rodrygos, i cili nuk ishte në fushë as kundër Celta. Kjo ngjalli spekulime për një ndëshkim të mundshëm për shkak të formës së dobët të brazilianit, por Ancelotti i hodhi poshtë të gjitha aludimet: “Rodrygo kishte ethe dhe nuk ndihej mirë fizikisht. Ishte rikuperuar pjesërisht, por jo në gjendje të luante. Të rrezikonim me të në këto kushte, edhe për pesë minuta, do të kishte qenë e gabuar. Nuk ka ndëshkim, nuk kam asnjë problem me të”.
Në fund, trajneri theksoi se megjithë humbjen, skuadra e tij tregoi karakter: “Nuk shkoi siç donim, por ishte një ndeshje e madhe mes dy ekipeve të mëdha. Luftuam deri në sekondën e fundit dhe kjo është ajo që më intereson”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






