

Fier: Dokumentohet një rast i blerjes së votave, arrestohet 63-vjeçari – Procedim edhe për kanosje në Lushnjë
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë të ditur se si rezultat i një hetimi njëmujor, të zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është dokumentuar një rast i korrupsionit zgjedhor.
Në përfundim të hetimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e ndalimit për shtetasin Pandeli Bozha 63 vjeç, banues në fshatin Portëz. Bozha është babai i Limonera Bozha, kandidate për deputete e PSD, raporton noa.al.
Ai dyshohet se gjatë një periudhe njëmujore ka shpërndarë shuma parash ndaj disa qytetarëve, me qëllim blerjen e votës në favor të një kandidateje të një subjekti politik.
Për këtë rast, materialet iu referuan SPAK për hetime të mëtejshme, ndërkohë që ndaj 63-vjeçarit rëndon akuza “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Ndërkohë, edhe në Lushnjë është regjistruar një rast tjetër i shkeljeve zgjedhore. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Lushnjës kanë referuar në Prokurori materialet për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasit Stefan Prença, 27 vjeç, banues në fshatin Bubullimë.
Prença është nënkryetar i Partisë Demokratike për zonën e Bubullimës, raporton noa.al. Ai është denoncuar nga shtetasi J. Ç., 28 vjeç, i cili ka deklaruar se është kanosur përmes platformës “Messenger” për dhënien e votës.
Edhe ky rast i është referuar SPAK, nën akuzën “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






