

Pas një prej përballjeve më emocionuese të sezonit, Barcelona e Hansi Flick triumfoi 4-3 ndaj Real Madridit në “Montjuïc”, duke bërë hapin vendimtar drejt titullit kampion në La Liga. Megjithatë, trajneri gjerman nuk pranon ta konsiderojë ende punën të mbyllur. Në konferencën pas ndeshjes, ai u shfaq i kënaqur me reagimin e ekipit, por kritik dhe i vetëdijshëm për aspektet që duhen përmirësuar, veçanërisht në mbrojtje.
“Për tifozët dhe lojtarët ishte një ndeshje fantastike, – tha Flick, duke iu referuar emocionit që solli përmbysja nga 2-0 në një fitore të paharrueshme. – Real Madridi është një skuadër me cilësi të mëdha, ndaj ta përmbysësh disavantazhin pas një ndeshjeje me 120 minuta në Milano nuk është aspak e lehtë.
Është e thjeshtë të thuash: shënuam katër gola, por kur pësuam tre, aty është problemi. Duhet të përmirësohemi shumë në mbrojtje. Kur ushtrojmë presion, gjithçka funksionon, por nëse gabojmë si te goli i parë, ndërlikohet gjithçka.
Kalendari i ngjeshur nuk është justifikim, por kur luan çdo tri ditë, bëhet e vështirë të punosh në mënyrë të thellë në stërvitje. Megjithatë, po mendojmë si të përmirësohemi. Kemi bërë hapa përpara si skuadër, sidomos në vendimmarrje kolektive, por ende nuk jemi aty ku duhet.
Nuk është e lehtë të menaxhosh një grup me kaq shumë cilësi, por skuadra ka shpirt të jashtëzakonshëm. Lojtarëve të mi iu pëlqen të stërviten, të luajnë, të garojnë. Kur e bëjnë këtë me intensitet në stërvitje, çdo gjë shkon më lehtë në ndeshje.
Kemi një staf të mrekullueshëm, që qëndron pranë lojtarëve. Për të luajtur me stilin e Barçës, duhet të marrësh vendime të mira, sot stoli kontribuoi në mënyrë të shkëlqyer”.
Sa iu përket individëve, Flick u ndal te disa emra kyç: “Ferran Torres luajti shumë mirë, është përmirësuar shumë si qendërsulmues, presioni që ushtron dhe asistimet që dha ishin thelbësore. Lewandowski sapo është rikthyer nga dëmtimi, ndaj është e rëndësishme që pjesa tjetër e skuadrës po e mban nivelin. Yamal po bën shumë mirë, ka vetëbesim, është i zgjuar dhe shikon gjithmonë përpara. Goli i tij ishte shumë i rëndësishëm. Edhe pse vetëm 17 vjeç, ka cilësi të pabesueshme”.
I pyetur për tensionin gjatë ndeshjes, Flick reagoi me qetësi: “Nuk do ta quaja nervozizëm, por emocione. Kishte shumë situata të nxehta, penallti, aksione të shpejta… Fitorja ishte gjithçka që donim sot. Të përmbysësh ndaj Realit pas dy golave të pësuar është e jashtëzakonshme. Tifozët janë të lumtur, kjo është më e rëndësishmja”.
Megjithëse triumfi ndaj rivalit të përjetshëm i afron shumë me trofeun, Flick nuk dëshiron të shpallet kampion përpara kohe: “A ndihemi kampionë? Jo. Na duhet vetëm një fitore, por futbolli është i paparashikueshëm. Jemi në një pozicion të mirë, por çdo kundërshtar dëshiron të na mundë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi”.
Në fund, Flick i rikujtoi vetes dhe publikut përgjegjësinë që sjell stoli i Barcelonës: “Kur vjen si trajner në një klub si Barça, ku fitoret janë pjesë e ADN-së, nuk ke zgjidhje tjetër përveçse të kërkosh gjithmonë më shumë. Ky udhëtim nuk ka përfunduar. Duhet të jemi më të qëndrueshëm, veçanërisht në mbrojtje. Po bëjmë gabime dhe duam t’i korrigjojmë, qoftë për këtë sezon apo për të ardhshmin”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






