

Pas fitores me shumë vlerë ndaj Torinos, Interi rimori frymë dhe i hodhi sytë drejt majës së Serie A, duke rritur presionin ndaj Napolit (që barazoi ndeshjen e vet dhe tani ka vetëm 1 pikë më shumë se zikaltrit).
Në një intervistë për “Sky Sport”, trajneri Simone Inzaghi analizoi me kthjelltësi momentin aktual të skuadrës së tij, duke prekur të gjitha temat: nga objektivi në kampionat, te finalja vendimtare që e pret në Champions League, deri te merkatoja, me emrin e ri që premton shumë për të ardhmen, Juan Martinez:
“Titulli? Nuk është më në dorën tonë, por po luajmë si skuadër e madhe. Duhet të vazhdojmë me të njëjtën përqendrim dhe seriozitet, ashtu si sonte. Luajtëm ndaj një Torinoje që vinte pas 8 ndeshjesh pa humbje në shtëpi. E dinim që duhej një Inter i fortë dhe i vendosur në këtë transfertë dhe kështu ndodhi.
Zalewski është lojtar me cilësi. Ka lindur për atë rol, pastaj u zhvendos si anësor i pestë dhe ia doli mjaft mirë. Jam i lumtur për Nicola, për Taremin, për të gjithë djemtë. Na mungonin emra si Çalhanoglu dhe Barella, të cilët luajtën vetëm disa minuta, por bënë mirë. Luajtëm një ndeshje shumë të mirë, më pëlqyen të gjithë.
Dëmtimet? Mbeten shqetësuese edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Lazios. Nuk besoj se do të kem në dispozicion Frattesin, Mkhitaryan, Pavard dhe Lautaron. Shpresoj që të paktën të rikuperohen për ndeshjen e fundit të kampionatit. Kanë mbetur 20 ditë deri në finalen e Champions-it. Duhet të përgatitemi me qetësi, si gjithmonë. Ankthi nuk na ndihmon. Vetëm me qetësi dhe punë të përditshme arrihet suksesi.
Juan Martinez? Kam pritshmëri të larta prej tij. E donim me çdo kusht. Kishim disa profile në listë, por zgjodhëm atë për çfarë tregoi te Genoa në këto dy vite. Është pozitiv, stërvitet mirë dhe ka reaguar pozitivisht sa herë që është thirrur të luajë. Edhe pse kemi një portier si Sommer, që po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm, Martinez është gati për Interin. Është e rëndësishme të kemi dy pika të sigurta mes shtyllave, pa harruar as Di Gennaro”.
Trajneri zikaltër iu rikthye edhe gjysmëfinales dramatike të Champions-it ndaj Barcelonës, luajtur në mesjavë: “Natën, sapo shkova në shtëpi, e rishikova menjëherë. Ishte një mbrëmje me shumë emocione, ndaj doja ta shihja me qetësi ndeshjen. Bëmë një paraqitje të madhe ndaj një kundërshtari me shumë vlera. Vetëm kështu arrihen objektiva të tillë”.
Ai nuk ngurron të shprehet për sfidat ekonomike që Interi përballet, krahasuar me klubet e mëdha europiane: “Shpesh thuhet që Interi është ‘i shkurtër’, por ne e dimë që nuk kemi buxhetin e PSG-së, Barcelonës apo Bayernit. Ne dimë të jemi më të zotët në organizim. Mund të mos jemi më të fortët, por jemi gjithmonë të përgatitur”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






